ATK konfiskon mall e pasuri në vlerë mbi 183 mijë euro

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar aksion për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve, të cilët nuk kanë përmbush kërkesat ligjore të ATK-së, në pagesën e borxheve në afatin e përcaktuar, si dhe nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të ATK-së, se do të ndërmerren veprimet e mbledhjes së detyrueshme të tatimeve,  përmes konfiskimit të pasurisë.

Sipas komunikatës së ATK-së, procedura e konfiskimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është zhvilluar ndaj tetë (8) tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa, vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 183,778.39 euro.

Si rezultat i shumë aktiviteteve intensive që administrata tatimore është duke ndërmarr, kemi  trend  pozitiv të zvogëlimit  të  borxheve, të cilat kanë reflektuar në rritjen e të hyrave.

Që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, ATK ka mbledhur gjithsejt 83.6 milion euro borxhe, që në krahasim me vitin e kaluar kemi zvogëluar borxhin për 21 milion euro.  ATK do të vazhdoj  mbledhjen e të gjitha borxheve të pa-paguara, duke u ofruar tatimpaguesve mundësin e lidhjes së marrëveshjeve për pagesë të borxheve sipas procedurave të parapara ligjor. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë tatimpaguesve borxhlinj, të cilët neglizhojnë pagesën e borxheve të tyre, ATK  do të aplikoi mbledhjen e detyrueshme për inkasimin e këtyre borxheve, që nënkupton konfiskimin e pasurisë, dhe format tjera detyruese të parapara me ligj.

Përveç konfiskimit të pasurisë,  aksioni në fjalë  do  të  shtrihet edhe në mbledhjen e të  gjitha gjobave mandatorë, të cilat janë të papaguara.

ATK ka njoftuar se aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, dhe përmes njoftimit ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme.

Fokusi ynë vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore.