ATK: Këto janë tatimet nga të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat

Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar personat fizik jo afarist, personat fizik afarist dhe personat juridik se të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat, si të ardhura të ligjshme apo të paligjshme, për qëllime tatimore janë të ardhura të tatueshme.

“Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sqarimeve plotësuese lidhur me njoftimin e publikuar më parë me titull “Të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme!”, njofton të gjithë personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë se bazuar në Ligjin Nr. 03-L/222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, të ardhurat që realizohen nga këta persona, si të ardhura të ligjshme apo të paligjshme, për qëllime tatimore janë të ardhura të tatueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së detyrimet tatimore për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat.

“Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person fizik jo afarist apo Person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhura Personale dhe për të ardhurat e realizuara, të aplikoj normat tatimore si në tabelën e bashkangjitur”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe për të ardhurat e realizuara, të aplikoj normën tatimore si në tabelën e bashkangjitur.

Sipas ATK-së nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen.