ATK: Këngëtarët paguan 2.3 milionë euro tatime për tetë muaj
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njoftoi se për periudhën janar-gusht 2024 vetëm nga këngëtarët dhe grupet muzikore ka mbledhur tatime në vlerë 2.3 milionë euro, rritje kjo sipas tyre, për 493 mijë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2023 që ishin 1,8 milionë euro.
ATK konsideron se kjo rritje vjen pas masave të reja për monitorim intensive të këtij sektori.
“Kjo është një rritje e konsiderueshme në deklarimin dhe pagesën e tatimeve nga këngëtarët dhe performuesit e tjerë të industrisë muzikore. Rritja është rezultat i masave të reja të zbatuara nga administrata për të konsoliduar aktivitetet e saj dhe për të siguruar një monitorim intensiv të këtij sektori. Të hyrat e kësaj periudhe janë më të larta për gjysmë milioni euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”- thuhet nga ATK.
ATK-ja më tej thekson se kanë intensifikuar monitorimin e të ardhurave të këngëtarëve, përfshirë përformancat live, kontratat e menaxhimit si dhe të ardhura nga burime tjera.
“Administrata Tatimore synon të sigurojë trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë tatimpaguesit, duke krijuar një mjedis të favorshëm për të gjithë”- shtoi më tej ATK.
Sipas Administratës Tatimore, kjo nismë është hap i rëndësishëm në përpjekjet për të rritur të ardhurat buxhetore dhe për të përmirësuar transparencën financiare në sektorin e muzikës.
“Administrata Tatimore e Kosovës falënderon të gjithë këngëtarët dhe artistët që kanë përmbushur obligimet e tyre dhe inkurajon të tjerët të ndjekin të njëjtin shembull për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit”- shtoi ATK.
Administrata Tatimore e Kosovës më 10.09.2024 lëshoi po ashtu njoftim që edhe influencerët (njerëz më ndikim) në rrjete sociale të cilët paguhen nga këto platforma, por edhe për marketing të ndryshëm, janë të tatueshëm në bazë të legjislacionit.