ATK ka bllokuar mbi 1,200 llogari të bizneseve që nuk i kanë shlyer borxhet

Në pesë ditët e para të muajit maj, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bllokuar mbi 1,200 llogari bankare të bizneseve të cilat nuk i kanë shlyer borxhet.

“ATK nga data 01.05.2021 vazhdon me procedurat e bllokimit  të llogarive ndaj të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë borxhe tatimore. Te bllokimi i llogarive nuk ka kufizime shuma e borxhit, por prioritet përcaktohen në trajtimin e borxheve të mëdha”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për KALLXO.com.

Bllokimi i llogarive është bërë duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 27 janar të këtij viti. Në këtë vendim kërkohej nga ATK-ja që të de-bllokojë të gjitha llogaritë bankare të tatimpaguesve, me detyrime tatimor të pashlyera, deri me 30 prill 2021, si masë lehtësues për tatimpaguesit për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID 19. Pas kësaj date, ATK ka nisur procedurat bllokuese për bizneset që kanë krijuar borxhe gjatë kohës së pandemisë, porse duke e shoqëruar këtë proces edhe me masa lehtësuese.

Kjo ishte bërë me qëllim që tatimpaguesit të stimulohen në shlyerjen e detyrimeve tatimore, duke i falura në të njëjtën kohë ndëshkimet, me kusht që të paguajnë bazën e borxhit dhe interesin.

Pas datës 30 prill 2021, kohë kjo kur mbaronte afati i vendimit të Qeverisë mbi de-bllokimin e llogarive, më 1 maj në mënyrë automatike ka filluar bllokimi i të gjitha llogarive bankare të tatimpaguesve me borxhe tatimore dhe të cilat nuk kanë marrëveshje me ATK-në për pagesa me këste.

ATK-ja ka mundësuar që bizneset të parashtrojnë kërkesë për lidhjen e marrëveshjes për pagesën me këste të obligimeve tatimore nëse dëshmojnë se kanë vështirësi financiare për t’i përmbushur obligimet, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Në periudhën janar – fundprill 2021 janë lidhur 799 marrëveshje me borxh total në shumë se 30 milionë e 93 mijë e 862 euro dhe pagesë paradhënie për marrëveshje në shumë 5 milionë e 969 mijë e 143 euro.

“Totalin e borxheve e përbejnë në pjesën më të madhe borxhet mbi 3 mijë euro, përkatësisht 82% të borxhit total e përbejnë 7,030 tatimpagues”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas ATK-së, përveç bllokimit të llogarive bankare në bazë të procedurave të parapara ligjore paraprakisht në afatin ligjor prej dhjetë ditë kur lind një borxh tatimor, ata ndërmarrin këto veprime:

– Njoftojnë tatimpaguesin për borxhin e krijuar dhe kërkojnë pagesën e tij brenda afatit ligjor prej dhjetë ditëve;

– Nëse brenda 10 ditëve nuk ka as pagesë e as marrëveshje për pagesë, ATK në ditën e njëmbëdhjetë regjistron barrën tatimore në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si masë sigurie për një borxh;

– Barra në pasurinë e paluajtshme regjistrohet në zyrat kadastrale në komuna ndërsa në pasurinë e luajtshme në Zyrën e Pengut regjistrohet pengu dhe në të njëjtën kohë vendoset barra në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve;

Masat tjera të cilat mund t’i ndërmarrë ATK-ja pas bllokimit të llogarisë janë: bllokimi në thesar, bllokimi në Doganë, bllokimi i në kufi i largimit nga Kosova, masa e konfiskimit të pasurisë së tatimpaguesit me borxhe tatimore dhe shitja e pasurisë se konfiskuar dhe ngritja e padive penale në fushën e tatimeve.

Në total borxhi i krijuar në ATK, në periudhën e pandemisë COVID-19, kap vlerën 76.4 milionë eurove.

Borxhi total që bizneset i kanë ATK-së deri në fund të muajit mars 2021 është 436,7 milionë euro (tatim+ndëshkim+interes).

Borxhet e krijuara nga 1 marsi 2020 deri më 31 dhjetor 2020 janë 54.2 milionë euro, ndërsa borxhet e krijuara nga 1 janari deri më 20 prill 2021, janë 22.2 milionë euro.

Pas publikimit të njoftimit nga ATK për bllokimin e llogarive të bizneseve, njohësi i fushës së ekonomisë, Naim Huruglica kishte thënë për KALLXO.com se në momentin që i bllokon llogarinë një kompanie, ajo kompani është pasivizuar.

“Sepse ajo kompani nuk mund të bëjë asnjë aktivitet ekonomik, nuk mund të blejë, nuk mund të paguaj punëtorët, nuk mund të shesë diçka e t’i marrë të hollat, dhe tash në këtë rast supozohet që bllokimi i llogarisë nënkupton pasivizim të këtyre bizneseve, realisht është mbyllje”, ka deklaruar Huruglica për KALLXO.com.

Huruglica ka thënë se është e vërtetë nevoja që buxheti të mbushet prej atyre detyrimeve, por po ashtu janë edhe vështirësitë që kanë shumica e bizneseve që po përballen me mungesë të qarkullimit të parave kesh.

“Unë jam i vetëdijshëm që buxheti mbushet prej tatimeve, por në anën tjetër nëse vërtetohet se paaftësia e bizneseve për me pagu tatimin ka ardhur si pasojë e pandemisë, efekteve ekonomike, atëherë shteti do të duhet me bo diçka me i shpëtu, e jo me i mbyllë ato llogari”, ka potencuar ai.

Sipas Huruglicës, Qeveria duhet të vlerësojë secilën kërkesë të bizneseve veç e veç për të parë se cilat janë mundësitë që të njëjtat t’i mbijetojnë kësaj krize dhe të ruhen vendet e punës.

“Në rastin konkret, përmes procesit të evaluimit të secilës kërkesë ose rast veç e veç, me pa mundësinë e rialokimit të borxheve në kuptimin e shpërndarjes për një fazë të mëvonshme ose riprogramim ose me gjetë metodën se qysh me bo të mundshme që ato biznese në realitet me mbijetu”, ka përfunduar Huruglica.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6%, si pasojë e COVID -19.

Ndërkaq, ky mekanizëm financiar ndërkombëtar ka paraparë rritje ekonomike në vitin 2021 jo më shumë se deri në 4.5 për qind.

Më herët KALLXO.com kishte raportuar për njoftimin e ATK-së për bllokimin e llogarive të bizneseve dhe reagimin e përfaqësuesve të bizneseve.