ATK-ja rrit të hyrat për 62.9 milionë euro në raport me vitin e kaluar
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se të hyrat tatimore për periudhën janar-gusht 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ATK-së, të hyrat tatimore për periudhën janar-gusht 2024 janë rritur për 62.9 milionë euro në raport me vitin e kaluar.
“Të hyrat për këtë periudhë janë rritur për 62.9 milionë euro, duke reflektuar pozitivisht në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e performancës dhe zbatimin e reformave strategjike” – thuhet në njoftimin e ATK-së, më 05.09.2024.
ATK thotë se të hyrat e inkasuara kanë shënuar rritje të buxhetit të shtetit.
“Totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642.0 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe rritjen e transparencës” – njofton ATK.
Tutje, ATK ka numëruar disa reforma që vlerësojnë se kanë ndihmuar në ngritjen e performancës.
“Ndikimi i reformave të ndërmarra përfshinë digjitalizimin e proceseve të punës, trajtimin e borxheve tatimore, krijimin e kanaleve për raportim të rasteve korruptive, luftimin e evazionit tatimor, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia” – janë reformat që ka përmendur ATK.
Si përfundim, nga ATK thonë se mbeten të përkushtuar në forcimin e përmbushjes vullnetare dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimin e hendekut tatimor duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Në anën tjetër, më 27.08.2024, ATK njoftoi se me datën 23.08.2024 në Gazetën Zyrtare është publikuar Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore i cili zbatohet nga po ajo datë.
Sipas ATK-së, në nenin 5 të këtij ligji ndryshohen shkallët e tatimit në të ardhura.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.” – thuhet në njoftimin e ATK-së.
Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), ka zero për qind tatim (0%);
Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe
Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).
E ministri i Financave Punës, dhe Transfereve [MFPT], Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në Facebook tha se pas një dekade është rritur paga minimale.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade. Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”- ka shkruar ministri Murati në Facebook, më 27.08.2024.
Sipas ministrit Murati, me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte).
Sipas tij, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi.