ATK-ja bllokon xhirollogaritë e Postës së Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës i ka bllokuar xhirollogaritë e Postës së Kosovës për shkak të borxheve.

Lajmi për bllokim të xhirollogarive e ka konfirmuar kryeshefi i Postës së Kosovës, Salih Morina dhe nga kryetari i Bordit, Mentor Arifaj.

Salih Morina, kryeshefi i Postës, ka thënë se bllokimi i xhirollogarive është bërë pa paralajmërim nga ATK-ja. Ai thotë se bllokimi është bërë për shkak të një borxhi të akomuluar gjatë viteve 2018 dhe 2019.

Morina thotë se ende nuk kanë pranuar informata të sakta nga ATK-ja për borxhin e saktë, por ai thotë se borxhi është rreth 1.3 milionë euro.

Sipas tij, bllokimi i xhirollogarive bën që të pamundësohet funksionimin i ndërmarrjes dhe kryerja e transaksioneve të nevojshme ditore.

Kryetari i Bordit të Postës, Mentor Arifaj thotë se pas takimeve që kanë pasur gjatë javës me zyrtarët e ATK-së janë pajtuar që të bëhet prerja e borxhit dhe të ofrohet një mundësi e riprogramimit të borxhit, por sipas tij ATK-ja menjëherë i ka bllokuar llogaritë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë shkresë zyrtare nga ATK-ja për ndonjë paralajmërim për bllokim të mundshëm të llogarive”, ka thënë Arifaj.