ATK ia zhbllokoi xhirollogarinë Postës së Kosovës

Zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, takuan sot ministren e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami dhe drejtorin e përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, takim ky që rezultoi me konfirmimin e zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës.

Në këtë takim të përbashkët, ata biseduan format për gjetjen e mundësisë reale të kryerjes së obligimeve financiare të Postës së Kosovës ndaj ATK-së, përmes një riprogramimi të borxhit, që do të nënkuptonte edhe zhbllokimin e menjëhershëm të xhirollogarive bankare.

“Dy zyrtarët e lartë të Postës së Kosovës, së bashku me përfaqësuesin e Sindikatës së Punonjësve, Bujar Shala u takuan edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, me të cilin bashkëbiseduan rreth funksionimit të ndërmarrjes, për problemet dhe sfidat e ballafaqimit të saj gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Qëllimi i këtyre takimeve ishte që të kërkohet përkrahje nga Qeverisa e Kosovës si aksionar i Postës së Kosovës, e cila përgjatë kësaj kohe ka probleme të mëdha financiare, me rënien e të hyrave për shkak të pandemisë, rritja e borxhit ndaj ATK-së, e cila pati bllokuar dje llogaritë bankare Postës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Ata shfaqën brengat e tyre, që Posta e Kosovës po humbë financiarisht nga Shërbimi Universal Postar që po e kryen rregullisht si detyrim ligjor që ka, ndërsa nuk po rimbursohet nga Qeveria e Kosovës. Për këtë deponuan edhe kërkesën me shkrim për kthim të borxhit të Qeverisë në vlerë rreth 5 milion euro, për të garantuar operacionalitetin dhe funksionalitetin e ndërmarrjes. Këto takime ishin mjaft miqësore që rezultuan me konfirmimin sot pasdite të zhbllokimit të xhirollogarive bankare të Postës së Kosovës, ndërsa mbetet të shpresojmë edhe në realizimin e premtimeve të dy ministrave në përkrahjen e Postës së Kosovës në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme 4.5 milionë euro më shumë të hyra për muajin maj​Shfuqizohet vendimi për lirimin e TVSh-së në importet e grurit dhe miellit Pandemia Codiv-19 godet ekonominë e vendit ATK-ja pranon mbi 40 mijë kërkesa për kompensim të pagave Të hyrat nga ATK në kohë pandemie shënuan rënie për 28.1%​ ATK do të pajisë Prokurorin e Shtetit me informacione për persona të dyshuar për vepra penale