ATK i paralajmëron bizneset të mos bëjnë transaksione fiktive

Administrata Tatimore e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar bizneset, të cilat merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor nuk njeh transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive.

ATK ka deklaruar se ndaj këtyre bizneseve do të ndërmarr masa në bazë të legjislacionit tatimor.

“ATK, ju bën thirrje të gjitha bizneseve, që para se të hyjnë në transaksione afariste të bëjnë verifikimin e bizneseve jo-aktive, të cilat i gjeni në ueb faqe ëëë.atk-ks.org në linkun https://www.atk-ks.org/portfolio/tatimpaguesit-jo-aktiv/ . Çdo herë kur ATK gjatë verifikimit të dokumentacionit identifikon ndonjë transaksion / faturë fiktive, pavarësisht se a është biznesi që ka lidhur transaksionin / lëshuar faturën i publikuar në ueb-faqe të ATK-së apo jo, ai transaksion / ajo faturë nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së shpenzimeve në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së TVSH-së së zbritshme”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Administrata Tatimore ka shtuar se bizneset me kryerjen e detyrimeve tatimore kontribuojnë direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.