ATK  fillon kontrollet për punëtorë pa kontrata pas miratimit të pakos emergjente fiskale

Administrata Tatimore e Kosovës ka filluar kontrolle nëpër bizneset e Prishtinës pas miratimit të  pakos emergjente nga Qeveria e Kosovës për bizneset dhe punëtorët.

Dje me propozim të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe me vendim të Zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të operacioneve Nijazi Asllani, Drejtoria e parë e ATK-së në Prishtinë u autorizua të fillojë kontrollin për verifikimin e kontratave të punëtoreve nëpër bizneset të cilat janë duke e ushtruar aktivitetin gjatë gjendjes emergjente të pandemisë.

Pas pranimit të detyrave, drejtori rajonal Xhemajl Hertica urdhëroi një ekip të inspektorëve që të fillojë me kontrollet.

Gjatë ditës u kontrolluan 3 biznese të ndryshme, dy prej të cilave i kishin të gjithë punëtoret e deklaruar.

Pas përfundimit të kontrollit në njërin nga bizneset e kontrolluara numri i punëtoreve të deklaruar ishte i dyshimtë dhe në lidhje me dyshimet biznesi është urdhëruar që të dërgojë listën e plotë të punëtoreve me anë të email-it.

Këto nuk janë operacionet e vetme të cilat i ka ndërmarrë Administrata Tatimore e Kosovës gjatë gjendjes emergjente.

Javë më parë ATK mori vendim që të caktojë ekipe kujdestarie me orar të zgjatur të punës me qëllim që ti trajtojë të gjitha informacionet e qytetarëve për ngritjen e çmimeve nga ana e bizneseve në kohën e pandemisë.

Vetëm gjatë dy jave të fundit Administrata Tatimore e Kosovës ka pranuar rreth 4,000 thirrje telefonike për ngritjen e çmimeve.
Pas këtyre raportimeve 246 biznese janë rekomanduar për t’u ndëshkuar pasi ATK ka konstatuar se kishin ngritur çmimet gjatë fazës emergjente.

Ditë më parë pas raportimeve në BIRN, inspektorët e ATK-së kishin konstatuar se në disa barnatore në Pejë ka diferenca në çmime.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.