ATK dhe IKS organizuan diskutimi me temë 'Formalizimi i Punësimit'

Administrata Tatimore e Kosovës – ATK dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS sot kanë organizuar panel diskutimi me temë “Formalizimi i Punësimit”.

Në këtë temë diskutimi morën pjesë drejtues të institucioneve kyçe që menaxhojnë në monitorimin punëtoreve si në aspektin e të drejtave ashtu edhe në pjesën e deklarimit të tyre, si dhe drejtues nga organizatat e komunitetit të bizneseve dhe organizata nga shoqëria civile.

Sipas komunikatës për media, ky panel ishte vazhdimësi e kampanjës që është duke u zhvilluar në kuadër të projektit të formalizimit të punësimit, i cili është duke u mbështetur nga IKS,  përmes projektit të tyre “Drejt barazisë dhe të drejtës sociale”.

Drejtori Ekzekutiv i ATK-së Ilir Murtezaj njoftohet të ketë thënë se ATK-ja nga viti 2021 duke parë nivelin e punëtorëve të padeklaruar ka nisur me plan specifik në trajtimin e kësaj dukurie. Ai ka shtuar se sensibilizimi është forma më e mirë e zbutjes së statistikave të punëtorëve të padeklaruar, për të cilën ATK ka punuar dhe po vazhdon ta bëjë.

Në anën tjetër, drejtoresha e Fondit për Zhvillimin Komunitar (CDF), Nermin Mahmuti ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë në rritjen e vetëdijesimit të punëtoreve, për të kuptuar pse duhet të kërkojnë të kenë kontratë punë dhe t’i deklarohen kontributet pensionale dhe tatimi.

“Kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi përmendi aktivitetet që janë duke u zhvilluar dhe në të njëjtën kohë mundësit e rritjes së numrit të punëtorëve formal. Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet institucioni që drejton në realizimin e detyrave të punës. Si institucion tha se do të ketë zhvillime, të cilat do ta lehtësojnë aktivitetin në teren” – thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se problematika e këtij fenomeni përfshin faktor të ndryshëm, të cilët ndikojnë direkt që Kosova të këtë punëtor të paformalizuar.

“Si organizatë kemi përkrah dhe vazhdojmë të jemi afër, për të dhënë kontribut në këtë kampanjë, duke shfrytëzuar edhe mundësit që kemi në komunikimin e drejtpërdrejt me bizneset anëtare” – njoftohet të ketë thënë Rafuna.

Ndërsa, Drejtoresha Ekzekutive e IKS, Brikena Hoxha ka folur për Raportin“Kushtet e punës në Kosovë”, situata me informalitetin dhe sfidat në tregun e punës.

“Ndër të tjera, theksoj edhe shumë të gjetura nga hulumtimet e bëra në teren, ku sipas saj pjesa e asistencës ose kujdesit ndaj fëmijëve, pleqve dhe mirëmbajtjes shtëpiake janë njëri ndër segmentet,  të cilat kanë statistika që dominojnë informalitetin në punë” – është bërë e ditur në komunikatën për media.

Tutje, u theksua se formalizmi i punësimit do të trajtohet vazhdimisht, deri në atë masë kur vetëdijesimi i qytetarëve-punëtor të jetë në nivel të mjaftueshëm, ku secili do të luftoj që të respektohen të drejtat e tyre në vendin e punës.