Atasheu i mbrojtjes në Gjermani, Besim Gashi emërohet atashe jorezident edhe në Slloveni

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka njoftuar se atasheu i mbrojtjes në Gjermani, nënkolonel Besim Gashi, është emëruar atashe jorezident edhe për Slloveni.

“Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, respektivisht thellimit të partneritetit bilateral me Slloveninë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, nga dje, atasheu ynë i mbrojtjes në Gjermani, nënkolonel Besim Gashi, ka filluar angazhimin e tij zyrtar, në cilësi të atasheut jorezident në Slloveni” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të ministrisë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë, ai u prit nga ambasadori Valdet Sadiku dhe stafi i tij.

“Zgjerimi i rrjetit të atasheve të mbrojtjes në vendet partnere është ndër objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes për fuqizimin e mëtejmë të diplomacisë sonë të mbrojtjes si shumë të rëndësishme në perspektivën zhvillimore të vendit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë” – thuhet në njoftimin e ministrisë.