Foto: Ilir Peci/ Facebook

“Ata janë tepër të veçantë ...", mesazhi i kryetarit të Zveçanit për fëmijët me autizëm

Komuna e Zveçanit ka organizuar sot [27.08.2024] një aktivitet për nder të Javës së Arsimit Special dhe “muajit për ndërgjegjësimin mbi autizmin”.

Kryetari i kësaj komune, Ilir Peci ka thënë se fëmijët me autizëm janë të veçantë dhe delikatë.

“Ka pak informata dhe shumë keqkuptime mbi këtë gjendje të veçantë që prek shumë fëmijë. Ata janë tepër të veçantë, delikatë dhe kanë nevojë për dashurinë, mirëkuptimin dhe përkrahjen tonë. Ata kanë shumë talente të cilat po u ndihmuam t’i zhvillojnë dhe t’i manifestojnë, janë vlerë e shtuar në familje dhe në shoqëri”- ka shkruar Peci në rrjetin social Facebook.

Të pranishëm ishin kryetari i komunës  Ilir Peci, drejtorë komunalë, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut Veton Elshani gjithashtu edhe qytetarë.

 

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Kjo ditë në fakt është vendosur për 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore. Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: vendosjen e 2 Prillit si Dita Botërore e Autizmit; pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së; rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë; shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.

https://kallxo.com/lajm/ne-kosove-shenohet-dita-boterore-e-autizmit-me-jep-mbeshtetjen-te-gezoj-te-drejtat-e-mia-2/