Pamje nga konferenca për Shtjefën Gjeçovit. Foto: KALLXO.com.
At Shtjefën Gjeçovi, arkeologu i parë shqiptar dhe "rilindësi më i njohur i Kosovës"
Organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), në Prishtinë është organizuar konferenca shkencore “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit (150 vjetorin e lindjes)”.
Konferenca ka për qëllim që të hedhë dritë mbi kontributin shkencor dhe atdhetar të Gjeçovit në 150 vjetorin e lindjes dhe 95 vjetorin e vrasjes së tij.
Gjeçovi është autori i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”.
Konferenca u hap nga akademik Sabri Hamiti, i cili mbajti edhe kumtesën “Kanuni dhe Kanoni”. Ai tha se Gjeçovi njihet për kontribute të mëdha për shërbimin ndaj gjuhës dhe historisë shqiptare. Hamiti tha se Gjeçovi është çmuar nga arkeologë të huaj dhe shqiptarë për zbulimet aerologjike në tokën shqiptare, koleksioni i të cilave ruhet në Shkodër.
“Shërbimin e tij atdhetar – shkencor e kontributin për shqiptarët në Kosovë, At Shtjefëni e pagoi me jetë duke u vrarë në pritë nga atentatorë të veshur si ushtarak, derisa ktheheshin nga Prizreni në Has, më 14 tetor 1929, në orën tre pasdite”- tha Hamiti.
Ndërsa, akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut, tha se Shtjefën Gjeçovi është themelues i arkeologjisë shqiptare. Por, siç tha ai, as në Kosovë e as në Shqipëri nuk iu njohën meritat për kontributin shkencor e atdhetar.
Akademik Kraja tha se ky vit do të duhet të quhet “Viti i Gjeçovit”. Sipas tij, ai ishte rilindësi më i njohur i Kosovës.
“Do të desha që ky vit të quhej ‘Viti i Gjeçovit’, sa në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij po aq edhe për faktin se gjatë periudhës së shkuar Gjeçovit nuk iu bën nderet e merituara për punën e bërë, si themelues i padiskutueshëm i arkeologjisë dhe etnologjisë”- tha akademik Kraja.
Ai theksoi se nisma e ASHAK-ut për ta sjellë Gjeçovin në vëmendje në 150 vjetorin e lindjes nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore dhe arsimore të Kosovës.
Kurse, akademik Gëzim Hoxha nga ASHSH, i cili mbajti edhe kumtesën “Vlera shkencore aktuale e koleksionit të At Shtjefën Gjeçovit”, tha se Gjeçovi ishte figurë poliedrike e shkencore dhe e kulturës shqiptare. “Ai mbetët një figurë e rëndësishme e Rilindjes që iu kushtua me vetëmohim çështjes kombëtare, të drejtës zakonore, ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe, mbledhjes së kulturës materiale arkeologjike, regjistrimit të kulturës shpirtërore-letrare dhe etnografike të popullit shqiptar”- tha Hoxha.
Për kontributin shkencor e patriotik të Gjeçovit, por edhe ndikimin e veprës së tij, me kumtesa u paraqitën edhe studiues tjerë të disiplinave albanologjike.
Biografia
Shtjefën Gjeçovi, lindi më 12 korrik 1874 në Janjevë. Mësimet i vijoi në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bosnjë e Hercegovinë.
Meshën e parë e mbajti më 1886 në Tropshan. Shërbeu si famullitar në Pejë, Prizren, Laç, Kurbin, Mirësitë, Zym e në shumë pjesë tjera të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai shkroi vepra të ndryshme, si: “Jeta e Shën Luçisë”, “Agimi i gjytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Shën Ndou i Padovës”, ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit”, etj.
Njihet edhe si mbledhës i folklorit dhe materialeve arkeologjike. Koleksioni i tij i gjetjeve arkeologjike ndodhet në Shkodër.
Gjeçovi u vra me porosi të autoriteteve të atëhershme serbe, në pritë nga persona të uniformuar tek sa kthehej nga Prizreni për në Has më 14 tetor 1929.