Astronomët zbulojnë një vrimë të zezë gjigante '30 miliardë herë më të madhe se masa e Diellit'

Astronomët në Britaninë e Madhe e kanë zbuluar një vrimë të zezë masive e cila është rreth 33 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit.

Shkencëtarët e Universitetit të Durhamit kanë thënë se vrima e zezë ultramasive është një nga më të mëdhatë që janë parë ndonjëherë.

Gjetjet e publikuara në revistën ‘Monthly Notices of the Royal Astronomical Society’ u përshkruan si “jashtëzakonisht emocionuese”.

Autori kryesor i publikimit Dr James Nightingale, i Departamentit të Fizikës në Universitetin Durham, thotë se “kjo vrimë e zezë e veçantë, e cila është afërsisht 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit tonë, është një nga më të mëdhatë e zbuluara ndonjëherë dhe në kufirin e sipërm të madhësisë. Ne besojmë se vrimat e zeza teorikisht mund të bëhen, kështu që është një zbulim jashtëzakonisht emocionues”.

Vrimat e zeza ultramasive janë objektet më masive në univers, me masën midis 10 miliardë dhe 40 miliardë herë më shumë se masa e Diellit.

Astronomët besojnë se ato mund të gjenden në qendër të të gjitha galaktikave të mëdha si Rruga e Qumështit.

Vrimat e zeza ultramassive janë të rralla dhe të pakapshme, dhe origjina e tyre është e paqartë.

Disa besojnë se ato janë formuar nga bashkimi ekstrem i galaktikave masive miliarda vjet më parë, kur universi ishte ende i ri.

Studiuesit përdorën një fenomen të njohur si lente gravitacionale, ku morën ndihmë nga një galaktikë e afërt duke e kthyer atë në një xham zmadhues gjigant.

Kjo zbuloi praninë e vrimës së zezë ultra masive, një rajon ku tërheqja e gravitetit është aq e fuqishme sa që as drita nuk mund të shpëtojë.

Shkencëtarët përdorën simulime superkompjuterike në Universitetin Durham dhe imazhe të kapura nga Teleskopi Hapësinor Hubble për ta konfirmuar madhësinë e vrimës së zezë supermasive.

Ata thanë se kjo është vrima e parë e zezë e gjetur duke përdorur lente gravitacionale.

Dr Nightingale shton se “shumica e vrimave të zeza më të mëdha për të cilat ne jemi në dijeni janë në një gjendje aktive, ku materia e tërhequr afër vrimës së zezë nxehet dhe lëshon energji në formën e dritës, rrezeve X dhe rrezatimeve të tjera.

“Megjithatë, lente gravitacionale bën të mundur studimin e vrimave të zeza joaktive, diçka që aktualisht nuk është e mundur në galaktikat e largëta.

“Kjo qasje mund të na lejojë të zbulojmë shumë më tepër vrima të zeza përtej universit tonë lokal dhe të zbulojmë se si këto objekte ekzotike evoluan më tej në kohën kozmike”.

Studiuesit thanë se puna e tyre hap “mundësinë joshëse” që astronomët të mund të zbulojnë më shumë vrima të zeza ultramasive sesa mendohej më parë.

Hulumtimi u mbështet nga Agjencia Hapësinore e Mbretërisë së Bashkuar, Shoqëria Mbretërore, Këshilli i Objekteve të Shkencës dhe Teknologjisë, pjesë e Kërkimit dhe Inovacionit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Këshilli Evropian i Kërkimit./Upday.com.uk

Përgatiti: Nuhi Shala