Presidenti sirian, Bashar al-Assad - Foto: REL/EPA-EFE

Assadi flet për herë të parë pas rënies: “Nuk desha të largohesha nga Siria”

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, thotë se kurrë nuk e ka pasur ndërmend të arratisej në Rusi – në atë që supozohet të jetë deklarata e tij e parë që nga rënia e Damaskut në duar të kryengritësve tetë ditë më parë, ka njoftuar BBC.

Deklarata e raportuar e Assadit u postua më 16.12.2024 në kanalin Telegram që i përket presidencës siriane, megjithëse nuk është e qartë se kush e kontrollon aktualisht kanalin.

Në të Assadi thotë se ndërsa kryeqyteti sirian ra në duart e rebelëve, ai shkoi në bazën ushtarake ruse në bastionin e tij në provincën Latakia “për të mbikëqyrur operacionet luftarake”, duke parë pastaj se trupat siriane kishin braktisur pozicionet.

Baza “Hmeimim” ishte gjithashtu nën “sulm të intensifikuar nga sulmet me dronë” dhe rusët kishin vendosur ta transportonin atë në Moskë.

Ai shton se në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk ka menduar “të tërhiqem apo të kërkoj strehim dhe as nuk është bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo parti”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com