Ilustrim

Asociaconi i Komunave: Listat e kërkuara prej Thesarit do të dërgohen brenda afatit

Udhëheqësit e Asociacionit të Komunave të Kosovës janë takuar sot me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Në këtë takim është folur lidhur me çështjen e grevës së përgjithshme që është duke u mbajtur nga 25 gushti.

Pas takimit me presidenten Osmani, në një konferencë për media, foli kryetari i AKK-së, Agim Aliu. Aliu komentoi situatën e krijuar nga greva dhe u deklarua edhe për kërkesën e Thesarit të Shtetit për listën e pagave, duke thënë së kjo listë do të dorëzohet në afatit.

“Për pagat e muajit gusht ne i kemi dorëzuar listat me 10 gusht, për pagat për muajin shtator listat do t’i dërgojmë më 10 shtator” – tha Aliu.

Ai po ashtu shtoi se për përmirësimin e gjendjes duhet të këtë dialog në mes palëve.

“Ne para dy ditësh, pikërisht duke pasur parasysh situatën që kemi, kemi mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme me të gjithë kryetarët e komunave dhe si përfundim ka qenë që duhet të këtë dialog, debat në mes nesh sepse të gjithë ata që na bashkojnë janë qytetarët” – tha Aliu.

Aliu tregoi se Komunat e Kosovës e kanë dhënë dhe do të vazhdojmë të japin kontributin që duhet.

“Sa i përket asaj që është pjesë e kompetencës dhe e përgjegjësisë së nivelit komunal e që ka qenë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, ne të gjithë i kemi bërë me kohë” – tha Aliu.

Gjatë ditës Osmani u takua edhe me palë të tjera të përfshira në këtë çështje.

Ajo fillimisht u takua me përfaqësues të SBASHK-ut, Këshillin e Prindërve, Këshillin e nxënësëve dhe disa OJQ për mbrojtjen e fëmijëve.

Greva e përgjithshme është duke u mbajtur në Kosovë që nga 25 gusht nga një pjesë e puntorëve të sektorit publik.

Sot, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballuar inflacionin.

Në këtë pako kanë thënë se janë të përfshirë edhe zyrtarët publikë për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.

Tutje është thënë se kjo pako përfshin subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.