Asociacioni Kosovar i Industrisë Private për Siguri shpreh shqetësimin pas rasteve të plaçkitjeve në institucionet financiare

Asociacioni Kosovar i Industrisë Private për Siguri (AKIS) ka reaguar pas rasteve të fundit të plaçkitjeve, në të cilat kishte edhe gjuajtje me armë zjarri.

Në komunikatën e lëshuar pas takimit, AKIS ka shprehur shqetësimin përballë rasteve të plaçkitjeve që kanë ndodhur ditëve të fundit.

“Shoqata AKIS, shpreh shqetësimin e saj të thellë mbi ngjarjet e fundit të plaçkitjeve dhe thyerjeve/eksplodimeve në objektet e institucioneve financiare bankare dhe jo bankare, si dhe gjuajtjen me armë zjarri në drejtim të punonjësve të sigurimit dhe zyrtarëve policor”, thuhet në komunikatë.

Tutje Asociacioni ka kërkuar nga organet e sigurisë që të hartojnë një plan për të shmangur skenarë të tillë.

“Shoqata AKIS kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Kompanive të Sigurimit (AKIS), me urgjencë të krijojnë grupe punuese për të punuar mbi masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme dhe zbardhjen e rasteve të fundit”, thuhet tutje aty.

PO ashtu, AKIS ka shprehur gatishmërinë që të japë kontribut në këtë drejtim me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive dhe krijimin e kushteve të sigurisë.

Një muaj më parë në Prishtinë disa persona të panjohur kanë grabitur një bankomat të një banke në Rrugën B, në Prishtinë.

Edhe të shtunën u kryen disa grabitje në Prishtinë, me ç’rast janë përdorur edhe armët e zjarrit.

Ky është 19 vjeçari që po e kërkon Policia lidhur me grabitjet e fundit në Prishtinë – FOTO