Ndërtimtari - Foto: KALLXO.com

Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se tatimi në pronë nuk është rritur nga komunat

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

“Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave,pa u rritur fare norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë” – thuhet në reagimin e AKK-së.

Sipas AKK-së, ajo se çka varet nga komunat nuk ka ndryshime, ndërsa kanë kërkuar që të procedohet sa më shpejtë në Kuvend, Ligji i ri i tatimit në pronë.

“Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njçherë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%” – thuhet në fund të reagimit.

Në ndërkohë ka reaguar edhe Ministria e Financave, duke thënë se gjatë vitit 2022 është kryer vlerësimi i përgjithshëm i tokave dhe objekteve rezidenciale si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat.

Departamenti i Tatimit në Pronë, sipas ministrisë, ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka. Derisa, vlerësimi i përgjithshëm është kryer duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë ka përdorur disa të dhëna.

“Kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit” – thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Financave, vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023 nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave.

“Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar” – thuhet nga ministria.

Për çdo ankesë ndaj vlerës së vlerësuar për pronën, ministria u bëri thirrje qytetarëve që të drejtohen pranë Komunës së tyre për të paraqitur ankesë ndaj certifikatës së vlerës së vlerësuar, e cila pastaj shqyrtohet nga Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Lidhur me këtë rritje të tatimit në pronë, Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përgjegjës për procedurën e vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave.

Komuna potencoi se nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në fatura për vitin tatimor 2023.

Derisa, nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj përmes një reagimi në Twitter theksoi se norma e tatimit është e njëjtë, por ministria i ka vlerësuar pronat më lartë, duke theksuar se si komunë nuk janë të njoftuar mirë për këtë punë.