Sazan Ibrahimi - Foto: KALLXO.com

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon të hiqet ora policore

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria për COVID-19 të ndryshohen.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për KALLXO.com, se kanë kërkuar nga Qeveria që të shtohet numri i ekipeve mobile në fshatra, por sipas tij, ka një muaj që nuk kanë pasur takime me nivelin qendror për koordinim për masat për pandeminë.

Ai shtoi se nuk përkrahin masat të cilat nuk kanë ndonjë argument shkencor, përfshirë këtu orën policore.

“Secila masë që ka ndonjë argument shkencor që ndikon në parandalimin e përhapjes së COVID-19 është përkrahur, por ora policore nuk na është argumentuar se ka rezultat. Ora policore prej orës 24:00 deri në ora 5:00 është problem sepse në asnjë shtet të Evropës Juglindore dhe më gjerë nuk ka masë të orës policore”, tha Ibrahimi më tej.

Ibrahimi po ashtu tha se kërkesë e tyre është edhe që bartja e maskës në hapësira të jashtme, kur një person ec i vetëm, të mos bartet.

“Kërkesë tjetër ka qenë që personat që janë të imunizuar të krijohen disa lehtësira në raport me ata që s’janë sepse në këtë mënyrë nxitet vaksinimi më shumë”, tha më tej Ibrahimi për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë, 6 dhjetor, do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër coronavirusit, të cilat u miratuan më 30 nëntor.

Nga paraqitja e dëshmive për vaksinim apo testeve për COVID-19, sipas masave të reja, do të përjashtohen personat që kalojnë transit nëpër Kosovë, personat nën 12-vjeç si dhe ata që kanë dëshmi mjekësore se nuk mund të vaksinohen. Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.

Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.

Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar.

Sot, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka regjistruar një viktimë dhe tri raste të reja me coronavirus.