Ilustrimi: KALLXO.com

Asociacioni i Komunave të Kosovës del me një kërkesë për Ministrinë e Financave

Me anë të një letre, Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar Besnik Bislimit, Ministër i Financave dhe Transfereve lidhur me mundësinë e marrjes së masave për mos aplikimin  e kamatë-vonesës dhe gjobës për tatimin e papaguar në kohë të këtij viti tatimor (2020), përgjatë gjithë vitit 2020.

Letra është adresuar duke pasur parasysh vështirësitë të cilat janë krijuar në të gjitha segmentet e jetës për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

“Po ju shkruajmë duke marrë shkas nga situata e vështirë që Kosova si shumë vende të tjera të botës është duke kaluar si pasojë e impaktit të COVID – 19.  Këto janë sigurisht periudha sfiduese dhe problematikat me të cilat po përballeni kanë qenë të shumta e nga më të larmishmet. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi zhvillimet që na presin, por tashmë është e sigurtë që pasojat për  tatimpaguesit dhe për ekonominë në tërësi do të jenë serioze”, thuhet në letrën e AKK-së.

Në adresim thuhet se kjo situatë kërkon vlerësim të kujdesshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve edhe për sa i përket detyrimeve të tatimit në pronë, në mënyrë që të merren masa e të  minimizohen sa më shumë të jetë e mundur pasojat e krizës për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se për shkak të ngadalësimit të punës së PTK- së po edhe të Komunave ku punohet me staf të reduktuar, kufizimit të lëvizjes së qytetarëve etj., shpërndarja e faturave të tatimit në pronë, këtë vit tatimor, do të marrë më shumë kohë. Faturat mund mos arrijnë në kohë te një pjesë e madhe e tatimpaguesve, çka paraqet një pengesë reale për përmbushjen në kohë të detyrimeve, nga ana e tatimpaguesve”, vazhdon letra e AKK-së drejtuar ministrit Besnik Bislimi.

Tutje thuhet se një pjesë e madhe e bizneseve janë detyruar të pezullojnë aktivitetin e tyre, e një pjesë e qytetarëve mund të kenë të  ardhura më të pakta këtë vit.

“Një pjesë e konsiderueshme e tatimpaguesve do të gjenden në pamundësi objektive për shlyerjen e detyrimeve të tatimit në pronë brenda afateve të  përcaktuara për ketë vit tatimor (30 Qershor dhe 30 Shtator), çka ka sjellë sipas ligjit aplikimin e kamatë vonesës dhe gjobës mbi tatimin e papaguar”, përfundon letra e AKK-së, nënshkruar nga Xhafer Gashi – zëvendës kryetar i AKK-së.