Asociacioni i Komunave të Kosovës bëhet me kryetar të ri

Imri Ahmeti, kryetar i komunës së Lipjanit, është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës me shumicë votash në Kuvendin e Përgjithshëm Vjetor të këtij asociacioni.

Kuvendi i Përgjithshëm Vjetor i AKK-së sot debatoi për raportet vjetore të punës për vitin 2019 si dhe shqyrtoi Planin e Punës së AKK-së për vitin 2020 si dhe për çështjet e lobimit në interes të Komunave të Kosovës gjatë këtij viti.

Gjatë paraqitjes së Raportit të Punës të AKK-së për vitin 2019, u.d. kryetari Xhafer Gashi, ndër të tjera, tha se Asociacioni ka punuar që të ndihmojë komunat që të kenë një performancë sa më të mirë financiare.

“Gjatë vitit 2019, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka punuar në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të komunave, ofrimit të shërbimeve të avancuara dhe përmirësimit të performancës së komunave, konsolidimit dhe fuqizimit të strukturave të reja të AKK-së dhe performancës së mirë financiare. Këto aktivitete janë të bazuara në Planin Strategjik të AKK-së për vitin 2016-2020, Planin Vjetor 2019 si dhe në agjendën legjislative të Qeverisë dhe Parlamentit si dhe prioritetet e përcaktuara vjetore nga strukturat udhëheqëse”, ka deklaruar Gashi.

Ai po ashtu shtoi se AKK-ja është kyçur në agjendë legjislative të Qeverisë e Kuvendit të Kosovës duke qenë pjesë e grupeve punuese në shqyrtimin e projektligjeve dhe akteve tjera ligjore në ekzekutiv dhe ka marrë pjesë në trupat e Parlamentit në takime dhe në disa dëgjime publike për të mbështetur qëndrimet dhe interesat e komunave të Republikës së Kosovës.

“Për vitin 2019, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Programin Legjislativ duke përfshirë 74 Projektligje, prej të cilave AKK-ja, ka përzgjedhur 22 projektligje, të cilat rregullojnë kompetencat apo paraqesin detyrime për nivelin lokal.
Në këtë periudhë lobimi, AKK-ja ka qenë e përqendruar në: Projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Projekt – Ligji mbi Partneritetin Publiko – Privat (PPP), Projektligjin për Pyjet, Projektligji për Ndërmarrjet Publike dhe Projektligjet për Inspektime. Nga kërkesat, rekomandimet dhe propozimet e AKK-së për nivelin qendror, 70 % e rekomandimeve dhe propozimeve të AKK-së janë inkorporuar në projektligje dhe akte tjera ligjore derisa targeti ynë ishte 60%. Gjatë vitit 2019, AKK-ja ka vazhduar të mbaj kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me komunat. Në përgjithësi, komunave u janë dërguar 115 njoftime të ndryshme, raporte, kthim përgjigje, projekt-ligje, projekt-rregulloret, rekomandime, propozim qëndrime”, tha ndër të tjera Gashi.

Delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm të AKK-së pas diskutimeve kanë aprovuar me unanimitet Raportet Vjetore të AKK-së për vitin 2018.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv Sazan Ibrahimi paraqiti katër objektivat e planit 2020 dhe projektligjet të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës me theks të veçantë do të fokusohet për të lobuar në drejtim të interesave të pushtetit lokal të Kosovës.

Kryetarët e Komunave me pas kanë debatuar për çështjet e lobimit në interes të Komunave të Republikës së Kosovës, ku me pas Kuvendi me shumicë votash ka miratuar edhe Deklaratën e Politikave Lokale në Republikën e Kosovës.