FOTO ILUSTRIM PROKURIMI

Asociacioni i Komunave reagon ndaj vendimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj një njoftimi të lëshuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), i cili kërkon që aktivitetet e prokurimit që nuk janë emergjente dhe në lidhje me pandeminë COVID-19 të anulohen dhe të mos iniciohen.

Në reagimin e Asociacionit thuhet se vendimet e tilla janë joligjore dhe jashtë kompetencës së KRPP-së.

“KRPP nuk mund të marrë rolin e ligjvënësit por është rregullator i procedurave sipas ligjeve në fuqi. Ne si AKK kërkojmë nga KRPP që të mos ndërpresë aktivitetet e prokurimit publik sepse jemi të bindur që çdo shtyerje e këtyre aktiviteteve do të jetë në dëm të popullatës lokale dhe nga ky vendim i juaji më së shumti do të pësojnë banorët lokal të cilët do të përfitonin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto projekte”, thuhet në reagim.

Po ashtu, sipas AKK-së, vendimi i KRPP-së bie ndesh me Ministrinë e Financave, e cila, sipas Asociacionit i ka njoftuar komunat se mund të procedojnë me realizimin e projekteve kapitale.

“Në këtë mënyrë Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që së pari KRPP të jetë në një qëndrim me MFT dhe nga njoftimi 42/2020, në pikën II të bëhet përjashtim në kërkesën për mos dorëzim të tenderëve deri pas datës 05.05.2020 për komunat, në mënyrë që procesi i tenderimit të vazhdoj në komuna me qëllim të realizimit të investimeve kapitale të parapara për këtë vit”, thuhet në reagimin e Asosacionit të Komunave të Kosovës.

Ndërsa në njoftimin e Komisionit Regullativ të Prokurimit Publik thuhet se të gjitha aktivitetet e prokurimit që janë në procedurë të tenderimit apo të inicimit për dhënien e kontratave publike për furnizim, shërbime, punët që nuk janë emergjente si shkas i COVID-19, apo që nuk ndërlidhen me funksionimin e administratës shtetërore, të shtyhen afatet, sidomos me theks të veçantë ato të investimeve kapitale, pas datës 5 maj 2020.