Asociacioni i Komunave: Përqindje më e ulët e mjeteve financiare për komunat në 2025, qeveria t’i marr parasysh kërkesat
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka deklaruar se në vitin 2025 komunat do kenë më pak perqindje të mjeteve financare në krahasim me këtë vit.
Sipas tij, përqindja e mjeteve financiare nga buxheti total për komunat për vitin e ardhshëm është më e ulët.
“Në bazë ta analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës del që në vitin 2025 komunat e Republikës së Kosovës do kenë 21.8% mjete financiare nga buxheti total i Republikës së Kosovës. Këtë vit, pra në vitin 2024, komunat kanë pasur 22.4% mjete financiare nga buxheti total i Republikës së Kosovës”- u shpreh ai.
Sazan Ibrahimi i ka bërë thirrje qeverisë që t’i marr parasysh kërkesat e komunave për rritje të buxheteve komunale.
“Marrë parasysh se edhe Granti i IV për investime kapitale nuk është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shto edhe marjen e mjeteve nga buxhetet e Komunave e që vetëm këtë vit, deri më tani se kjo vazhdon edhe në ditët e sotme, ka shkuar mbi 60 milionë euro, parashihet që komunat do kenë shumë më pak mjete financiare se këtë vit. Është e domosdoshme që Qeveria të ndajë mjete më shumë për komuna e jo që përqindja e mjeteve ndaj tyre të zvogëlohet siç po zvogëlohet në vitin 2025”- është shprehur Ibrahimi.
“Edhe një herë i bëjmë thirrje Parlamentit të Republikës së Kosovës që t’i marë parasysh kërkesat e Komunave për rritje të buxheteve komunale sepse jeta zhvillohet nëpër komuna”.
Gjithashtu, kryetari i AKK-së ka shtuar se kërkojnë që Parlamenti i Republikës së Kosovës “të parasheh një vijë buxhetore për mbulimin e kostos financiare për mbulimin e shpenzimeve nga kontrata kolektive”- ka thënë Ibrahimi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 11.11.2024 kanë miratuar në parim Projektligjin për buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 3.6 milionë eurove.