Asociacioni i Komunave për masat e reja: Po shkaktojnë tollovi, nuk janë konsultuar me ne

Kryetarët e Komunave kanë reaguar përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës  pasi që sipas tyre, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ministrja e MAPL-së, Emilia Rexhepi nuk janë konsultuar me komunat për masat e reja kufizuese për lëvizjen ashtu siç kanë deklaruar ata.

Në reagimin e Asociacionit thuhet se këto masa kanë filluar menjëherë të shkaktojnë kaos dhe tollovi si në komuna ashtu edhe vende tjera publike, dhe që sipas tyre, në një formë janë kundër efektive në betejën për parandalimin e përhapjes se pandemisë COVID-19.

“Unë, pas deklaratës Tuaj dhe Ministres Rexhepi, jam konsultuar më kolegët e mi kryetarë dhe të gjithë më kanë thënë që askush nga komunat, të cilat ju i përmendët në deklaratat e juaja, nuk është konsultuar me komuna dhe nuk ka patur asnjë proces konsultues me komuna për këto masa. Andaj, me kërkesë të Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës, si zv/Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës mendojmë që deklarata e Juaja dhe Ministres Rexhepi që komunat janë konsultuar për masat e reja anti-COVID 19 janë të pasakta dhe që një deklarim i tillë ka zgjuar një indinjatë dhe një zemërim te kolegët e mi, pra kryetarët e komunave”, thuhet në reagimin e postuar në “Facebook”.

“Reagimi i kryetarëve vjen si pasojë që ju deklaruat që në procesin e hartimit të këtyre masave, pra ta ritheksoj, masave që do ndërmirren nga 15 prilli 2020, në asnjë moment komunat nuk janë konsultuar. Aq më keq, kur të gjithë kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim që nga dita e parë dhe që kjo gatishmëri në këtë moment është anashkaluar tërësisht”, vijon reagimi.

Më tej thuhet se, kryetarët e komunave theksojnë që kjo është non-sens se si ka mundësi që rregullat të ndryshohen brenda dite. Në letër është theksuar që të gjithë Kryetarët e Komunave me përfaqësues komunal dhe përmes shtabeve komunale të emergjencës janë duke u ballafaquar në mënyrë të drejpërdrejtë me problemet e qytetarëve sa i përket COVID-19 dhe që komunat janë në vijë të parë të ballafaquar me luftën kundër përhapjes së COVID 19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmë ka prezantuar një sërë masash të reja që janë marrë, e të cilat do të hynë në fuqi të mërkurën në ora 6 të mëngjesit.

Ministria e Shëndetësisë ashpërson masat e lëvizjes së qytetarëve