Sazan Ibrahimi, Asociacioni i Komunave të Kosovës

Asociacioni i Komunave mblidhet pas ndaljes së pagave për sektorin publik

Asociacioni i Komunave të Kosovës do të mblidhet në takim me kryetarë të komunave sot në orën 15:00.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i cili tha se takimi do të mbahet në një hotel në Lipjan.

“Ka të bëjë me pagat për zyrtarët komunal e mësimdhënës. Kryetarët e komunave do të marrin pjesë në takim”- tha Ibrahimi për KALLXO.com.

Ibrahimi ka thënë se bordi i asociacionit i ka dërguar ftesat për të gjithë kryetarët e komunave, por nuk ka informacione nëse të gjithë do të marrin pjesë.

“Bordi i asociacionit i ka ftuar të gjithë. Tash të shikojmë se a i përgjigjen të gjithë apo jo”- shtoi ai.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, dje ka treguar se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publik, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procesimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim – ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në vitin 2014 janë tri kërkesat e sindikalistëve.