Asociacioni i Komunave: MAPL-ja ka ndërhyrë në kompetencën e Komunës së Prishtinës në lidhje me ‘Sunny Hill’

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka konsideruar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka ndërhyrë në kompetencat dhe në autonominë lokale të Komunës së Prishtinës, në lidhje me festivalin tashmë të anuluar për Kosovë, ‘Sunny Hill’.

Duke cituar Ligjin për Dhënien në Shftyëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, AKK-ja ka thënë se afati për dhënien në shfrytëzim të pronës vendoset nga Komuna, e jo nga niveli qendror.

“Komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për më pak se një vit”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Kurse sipas AKK-së, në shkresën e MAPL-së drejtuar Komunës së Prishtinës, aty kërkohet që të bëhet ndryshimi i afatit për dhënien e pronës komunale në shfytëzim për festivalin dhe më pas vendimi të aprovohet përsëri në Kuvendin Komunal me procedura të përshpejtuara, e tek më pas të dërgohet në MAPL për vlerësimin e ligjshmërisë.

“Me këtë shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e MAPL-së në kompetencë të komunës e që këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Pasditen e së martës është bërë e ditur se festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Prishtinë por se do të bartet në Tiranë.

Ky festival që planifikohej të mbahej nga 4 deri më 7 gusht të këtij viti në një pronë prej 17 hektarë në periferi të kryeqytetit, është anuluar.

Për zhvendosjen e festivalit për në kryeqytetin shqiptar, institucionet kosovare po ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama fajin po e drejton te Qeveria, për vonesat në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit që ishte nxjerrë me shumicë votash në Kuvendin Komunal në muajin maj.

E në anën tjetër, ekzekutivi, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila merret me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve që dalin nga kuvendi komunal e kryesisht kur në pyetje janë pronat, po thotë se ‘nuk bëhet fjalë për anulim’ por i kanë dërguar disa kërkesa e sqarime.

Çka parashihte marrëveshja mes Përparim Ramës dhe Dukagjin Lipës? (DOKUMENT)