Ilustrim

Asociacioni i Komunave kërkon nga AVUK-u të merret me trajtimin e qenve endacakë

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka kërkuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të merret me trajtimin e qenve endacakë pasi që sipas tyre ata marrin ‘miliona’ buxhet nga Qeveria e Kosovës pikërisht për këtë.

“Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës edhe një herë kërkojnë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK) që seriozisht të merret me trajtimin e qenve endacak sepse këtë përgjegjësi me buxhet shtesë në vlerë miliona euro e ka marrë dhe vazhdon ta ketë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nga vitit 2018”, ka njoftuar AKK-ja në Facebook.

Sipas AKK ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga komunat pasi që është problem në nivel vendi.

“Në takimet e ndryshme që Kryetarët e Komunave kanë zhvilluar me institucionet relevante, ku është kërkuar zgjidhja e problemit me qentë endacak, është konstatuar që ky problem nuk mund te zgjidhet komunë për komunë ndaras por është kërkuar zgjidhje ne nivel vendi”, thuhet në njoftim.

Sipas Asociacionit, AVUK si institucion qendror ka marrë përgjegjësi që të merret me trajtimin e këtij problemi në nivel vendi.

“Duhet theksuar që baza ligjore e bën përgjegjës AVUK që të kujdeset  për shëndetin dhe kontrollimin e kafshëve në Kosovë (edhe qentë janë kafshë), siç është përshkruar në Ligjin 2004/21 dhe Ligjin 02/21 dhe bazuar në këtë ligj, AVUK ka të krijuar edhe sektor brenda saj dhe ka zyrtarë shtetëror që merren me mirëqenien e kafshëve”, thuhet tutje aty.

AKK tutje ka thënë se do të deponojë kërkesë mbi qasjen në dokumente zyrtare në AVUK lidhur me zbatimin e projektit.