Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Asociacioni dhe takimi Kurti-Vuçiq në Ohër, flet ambasadori gjerman

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë do të përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Një marrëveshje do të përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës dhe është një shans historik në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke”- ka thënë ai në twitter.

Rohde për takimin e radhës Kosovë- Serbi i cili do të mbahet më 18 mars në Ohër u ka thënë dy shteteve, “mos e humbisni autobusin”.

Ambasadori gjerman ka theksuar se Kosova duhet të zbatojë “detyrimin e kahershëm” në lidhje me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e marrëveshjes.

Kurti dhe Vuçiqi takohen më 18 mars në Ohër