Ilustrim

Asnjëri qytetar që erdhi të shtunën nga Zvicra nuk u karantinua në Qendrën e Studentëve

Asnjëri nga qytetarët që kanë ardhur të shtunën nga Zvicra nuk janë karantinuar në Qendrën e Studentëve për shkak se kanë bërë pjesë në kategoritë që lirohen nga karantina.

Këtë informacion për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë, të gjithë personat janë kontrolluar në aeroport dhe do të vetizolohen në shtëpitë e tyre për dy javë.

“Personat që kanë ardhur ditën e shtunë nga Zvicra, që të gjithë janë kontrolluar në aeroport dhe përmes dëshmive që kanë treguar se bëjnë pjesë në  kategoritë që nuk karantinohen, janë pesë kategori. Edhe Ambasada në Zvicër është përkujdesuar që për riatdhesim t’u japë përparësi këtyre kategorive dmth personave me sëmundje kronike dhe ata nën 18 vjeç, me qëllim që të mos ngarkohet karantina, por të vetizolohen për dy javë në shtëpitë e tyre”, kanë thënë për KALLXO.com nga Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa rreth testimit të tyre, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se nëse personat kanë simptoma atëherë do të testohen, derisa kanë shtuar se janë në mbikëqyrje gjatë kohës së vetizolimit.