Gjimnazi "Frang Bardhi" në Mitrovicë të Jugut Foto: KALLXO.com

Asnjëri nga nxënësit përsëritës të Gjimnazit “Frang Bardhi” nuk arriti ta kalojë procesin e rivlerësimit

Pesë nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë të Jugut, të cilët iu nënshtruan rivlerësimit edhe pse vitin e kishin mbaruar me disa nota të dobëta, sërish kanë ngelur dhe nuk do të jenë maturantë.

Dy muaj pasi kishte filluar viti i ri shkollor, Inspektorati i Arsimit në kuadër të MASHT-it mori vendim që pesë nxënës përsëritës t’i nënshtroheshin një procesi rivlërësimi.

Arsyetimi i Inspektoratit ishte se mësimdhënësit e kësaj shkolle nuk i kishin vendosur notat përfundimtare, pra notat me ngjyrë të kuqe.

Këta pesë nxënës iu nënshtruan rivlerësimit në datat 11, 12 dhe 13 nëntor mirëpo asnjëri nga ta nuk arriti të kalojë.

Kështu njoftoi për KALLXO.com drejtori i Gjimnazit “Frang Bardhi”, Luan Mehmeti, i cili tha se katër nga këta nxënës kanë qenë në rivlerësim ndërsa një nuk ka marrë pjesë fare.

“E.D. ka mbetur në gjuhë frënge, edukatë muzikore, gjeografi, edukatë qytetare, histori dhe sociologji. Në të gjitha notat nuk ka treguar sukses që iu ka nënshkru riprovimit. Që të gjitha notat ka tregu sukses të pamjaftueshëm. I ka gjashtë nota të dobëta”- tha ai.

Pas rivlerësimit, kaluese notat në lëndën e gjuhës angleze e të gjeografisë i kishte Sh.Sh., mirëpo kjo nuk mjaftonte që ai të bashkohej me shokët e gjeneratës së tij.

“Sh.Sh. gjuhë angleze, gjuhë frënge, art muzikor, matematikë, fizikë, gjeografi, histori. Gjuhë angleze ka marrë notën 3, ka kalu, gjuhë frënge notë të dobët, art muzikor notë të dobët, matematikë notë të dobët, fizikë notë të dobët, gjeografi kaluese notën 2 dhe histori notë të dobët. Prej shtatë notave të dobëta, ka mbetur me pesë, pra është e pamjaftueshme” – tha drejtori.

Ndonëse kishte nxënës që në rivlerësim dolën pozitivë në disa prej lëndëve, L.S. hyri me gjashtë të dobëta në vlerësim dhe ashtu rezultoi edhe pas këtij procesi.

“E.M. gjuhë angleze, art muzikor, matematikë, fizikë, gjeografi. Edhe ky me gjuhë angleze ka tregu sukses, art muzikor pamjaftueshëm dhe matematikë pamjaftueshëm. Fizikë pamjaftueshëm dhe gjeografi pamjaftueshëm. Ndërsa L.S. që i ka pasë në gjuhë angleze, gjuhë frënge, art muzikor, matematikë, histori, TIK. Që të gjitha i ka nota të dobëta”- përfundoi drejtori.

Se ka qenë një rast specifik rivlerësimi i nxënësve përsëritës e pohon drejtori i kësaj shkolle.

Gjithashtu ai jep detaje për KALLXO.com se si u formuan komisionet që vlerësuan këta nxënës.

“Është rasti më specifik që nuk e di që ka ndodhë diku në Kosovë por ne kemi qenë të obliguar me formu. Megjithatë në bazë të udhëzimit administrativ thuhet se komisioni formohet nga kujdestari i klasës, nga një mësimdhënës i lëndës dhe mund të jetë një tjetër i fushës mirëpo ne vetëm aty ku s’kemi pasë hapësirë fare është fjala për artin muzikor. Sepse në të gjitha lëndët i kemi formu komisionet nga dy. Ndërsa kujdestarët e klasëve ku kanë lënë notë të dobët aty thotë se duhet zëvendësuar me një kujdestar të paraleles që iu ka dhanë mësim këtyre paraleleve”- u shpreh Mehmeti.

Sipas drejtorit, gjithçka ka shkuar sipas planifikimit dhe ankesa nuk ka pasur.

Ai shtoi se janë duke e përgatitur pjesën e raportit përfundimtar për ta dërguar një në Inspektorat dhe një në Drejtorinë e Arsimit.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi se mësimdhënësit e kësaj shkolle po kundërshtonin vendimin e Inspektoratit.

Madje e vlerësonin se është “shembur vlërësimi, puna jonë”.

Gjithashtu thoshin se mosvendosja me ngjyrë të kuqe ka ndodhur edhe te nxënësit me suksese të tjera, pra jo vetëm tek ata me nota të dobëta.

Ndonëse Gjimnazi “Frang Bardhi” ka dërguar ankesë në Inspektoratin e Arsimit në kuadër të MASHTI-t për këtë çështje, e njëjta është refuzuar.

KALLXO.com ka kontaktuar dhe Inspektoratin e Arsimit në kuadër të MASHTI-t për të marrë një qëndrim, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

https://www.facebook.com/watch/?v=1999100640574812&t=0