Foto: Spitalii Ferizajt

Asnjë vend i lirë në Spitalin e Ferizajt për pacientët me COVID-19

Komuna e Ferizajt është në mesin e komunave me më së shumti të infektuar me pandeminë COVID-19.

Rritja e rasteve ka vështërsuar punën në Spitalin Rajonal të Ferizajt, duke mbushur të gjitha dhomat e rezervuara për trajtimin e pacientëve me coronavirus.

Këtë mbingarkesë të spitalit e konfirmoi për KALLXO.com Drejtori i spitalit, Jeton Zeqiri.

“Repartet të cilat ne i kemi adaptu për trajtimin e COVID-it për momentin nuk ka, tash me na ardh një pacient i ri vetëm e trajtojmë në ambulatën specialistike, i japim ndihmën e parë dhe menjëherë duhet me nis për Prishtinë, nuk ka vend në spital”, tha Zeqiri.

Drejtori tutje thotë se kanë plan që nga nesër në repartin e internos të fillohet trajtimi i pacientëve të infektuar apo të dyshuar për coronavirus.

Ai shtoi se gjatë javës do të hyn në funksion për trajtimin e pacientëve edhe objekti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

“Drejtori i IKShPK-së Naser Ramadani, ka dhënë dritën jeshile që të funksionalizohet ky objekt, por duhet furnizuar me paisje”, thotë Zeqiri.

“Drejtori i IKShPK-së (Naser) Ramadani na ka dhënë dritën jeshile për me marrë objektin mirëpo ne i kemi dërguar Ministrinë e Shëndetësisë me na furnizu me paisje.Ka nevojë për 40 shtretër, 40 monitora, 40 boca të oksigjenit, po presim dritën jeshile të tyre në momentin që të sigurohet këto paisje ne e aktivizojmë. Java që po vjen do të jetë vetëm për aktivizimin e këtij instituti”, tregon ai.

Drejtori i spitalit ka treguar se për shkak të mungesës së vendit dy pacientë janë dërguar në Prishtinë.

“Në mungesë të vendit dy pacientë janë dërguar në Prishtinë, sa kam informacione i kanë dërguar në Pulmologji, kanë qenë të dyshuar me elemente diagnostifikuese pozitive, dhe pacientët që kanë pas nevoj për oksigjen ne i kemi dërguar në Prishtinë. Të tjerët janë në vetizolim”, tha Zeqiri.

Tutje ai thekson se janë duke u munduar të gjejnë vend në spital sepse ende nuk kanë marrë përgjigjë nga Ministria e Shëndetësisë nëse do të furnizohen me paisje apo jo.

“Ne po tentojmë të gjejmë hapësirë deri sa të funksionalizojmë (Institutin) në spitalin e vjetër. Ende nuk kemi përgjigje zyrtare prej Ministrisë së Shëndetësisë.Nesër e kemi plan Repartin e Internos me liru për trajtimin e pacientëve me COVID”, u shpreh tutje.

Sipas drejtorit, përveç problemeve për tu siguruar vend pacientëve problemi tjetër është se nuk ka staf shëndetësor për të mjekuar pacientët.

Mungesë kanë edhe për respiratorë.

“Kemi mungesë të respiratorëve, dy i kemi për raste specifike, por pacientët të cilët duhet trajtuar me respirator duhet t’i dërgojmë në Prishtinë.Ka mungesë (të stadit shëndetësorë)sepse një numër të caktuar e kemi në vetizolim dhe të konfirmuar pozitiv kështu që kemi mungesë të stafit, tani duhet të riorganizohemi dhe duhet të punojme në orë të kujdestarive.Edhe para pandemisë kemi pas mungesë të stafit”, shprehet tutje.

Kujtojmë se nëntë mjekë në këtë komunë janë pozitivë me COVID-19.

Drejtori thotë se numri i vogël i mjekëve të specializuar është problem tjetër në këtë spital.

“Është problematik se nuk kemi staf të specializuar, jemi vetëm katër anesteziolog, mirëpo kemi raste urgjente dhe nuk mundemi të gjithë stafin me angazhu vetëm për rastet me COVID-19 e ne nuk guxojmë të i angazhojmë ata”, shprehet tutje.

Rreziku nga COVID-19 është rritur dukshëm ditëve të fundit, vetëm brenda 2 ditëve janë shënuar 12 viktima në Kosovë.

3356 persona që nga data 13 mars e deri më sot kanë rezultuar pozitiv me coronavirus, 1874 prej tyre janë shëruar dhe 66 kanë vdekur.