Asnjë rast i ri me COVID-19 në Kamenicë

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Shëndetësisë Publike, sot kanë rezultuar 37 persona pozitiv me coronavirus.

Asnjë prej personave të infektuar nuk është regjistruar në Kamenicë.

“Për dy ditë radhazi nuk kemi asnjë rast të diagnostifikuar me virusin SARS-CoV-2. Padyshim që është lajm i mirë, e për këtë duhet me ju falënderu të gjithëve qe po i respektoni të gjitha udhëzimet. Durojmë edhe pak sepse ditë të mira na presin”, ka shkruar kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Para disa ditëve, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, fshati Topanicë dhe ai Hodonoc janë shpallur vatra të përhapjes së coronavirusit në Kamenicë.

Instituti ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë raste me vendbanim në Lipjan, tetë raste me vendbanim në Pejë, gjashtë raste me vendbanim në Prishtinë, pesë raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër raste nga Komuna e Podujevës, sipas vendbanimit dy  raste Podujevë dhe dy raste Pollatë, dy raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Sot më 20 prill 2020, janë shëruar edhe 21 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 123.

Nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një rast i vdekjes.

Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2

Sipas të dhënave të fundit të Worldometrics, në të gjithë botën numri i të infektuarve me coronavirus është mbi 2.4 milionë kurse numri i të vdekurve ka shkuar mbi 170 mijë.

Vendi me më së shumti të prekur është ShBA, me mbi 780 mijë raste, e ndjekur nga Spanja me mbi 200 mijë dhe Italia me 181 mijë.