Asnjë pacient me “Omicron” nuk po trajtohet në ShSKUK

Dy ditë më parë në Kosovë janë regjistruar nëntë rastet e para të infektimit me variantin e ri të COVID-19, “Omicron”.

Zëdhënësi për media në ShSKUK, Shpend Fazliu, në një prononcim për KALLXO.com tha se nuk ka të raportuar nëse ndonjëri nga të infektuarit është duke u trajtuar në Klinika apo Spitale Rajonale.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dy raste pozitive me “Omicron” janë të importuara nga SHBA-të ,dy raste janë të importuara nga Londra apo Mbretëria e Bashkuar, një rast është i importuar nga Franca si dhe katër raste me variantin “Omicron” janë të detektuar në komunën e Mitrovicës.

Në lidhje me këtë KALLXO.com, ka telefonuar edhe drejtoreshën e spitalit rajonal në Mitrovicë të Jugut, Luljeta Buçinca – Zhubi.

“Nuk kemi të shtrirë në spital. Ato rastet që janë konfirmuar me siguri kanë qenë mostra nga IKSHPK dhe me siguri kanë përfunduar si raste ambulatore”, deklaroi ajo.

Sa i përket gjendjes së pacientëve të infektuar me Coronavirus nga të dhënat e fundit të ShSKUK-së thuhet se një pacient është duke u trajtuar në mjekimin intensive në Klinikën Infektive përderisa tetë pacientë të tjerë janë duke u asistuar më oksigjeno – terapi.

ShSKUK gjithashtu njofton se trajtim mjekësor janë duke pranuar 29 pacientë tjerë post-COVID. 24 prej tyre po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa pesë pacientë të tjerë po trajtohen në spitalet rajonale në vend.

Aktualisht në Kosovë janë 343 raste aktive me SARS-CoV-2.

Deri më tani SARS-CoV-2 ka prekur mbi 161 mijë qytetarë prej tyre mbi 2 mijë kanë vdekur.

Vaksinimi mbetet njëra ndër mënyrat e vetme për parandalim të vdekshmërisë nga COVID-19 dhe variantet e shfaqur si pasojë e pandemisë.

Të gjithë qytetarët në Kosovë mund të vaksinohen pa termin në të gjitha komunat në vend mbi moshën 12 vjeç.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave “Pfizer/ BioNTech” dhe “AstraZeneca”.

Nga nentë dhjetori në nivel vendi ka filluar të jepet edhe doza e tretë e vaksinës anti-COVID.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më tani të vaksinuar me dy doza të vaksinave në nivel vendi janë  mbi 780 mijë qytetarë apo 47 përqind e qytetarëve, ndërsa me dozën e tretë janë vaksinuar 2 mijë e 88 qytetarë.

Rastet e para me COVID-19 në Kosovë janë shfaqur më 13 mars 2020, përderisa rasti i parë në botë i infektimit me SARS-CoV-2 është shfaqur në Kinë në nëntor të vitit 2019.