Asnjë i burgosur i prekur me COVID-19 në Burgun e Mitrovicës

Departamenti Shëndetësor i Burgjeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka njoftuar se asnjë i burgosur nuk është i prekur me COVID-19.

“Nga 56 teste të bëra sot nga IKShPK në Burgun e Mitrovicës, ku janë përfshirë të gjithë të burgosurit në testim, rezulton se të gjithë janë negativ. Kjo dëshmon edhe një herë se përkundër faktit se disa gardian dhe një infermier kanë qenë të infektuar me zbatim të plotë të masave mbrojtëse në punë dhe me disiplinë në këtë periudhë, është arritur që të pengohet përhapja e infeksionit tek të burgosurit”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Tutje është bërë e ditur se Departamenti Shëndetësor i Burgjeve në bashkëpunim me IKShPK dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës do të bëjnë gjurmimin e kontakteve të të gjithë gardianëve dhe infermierit të infektuar në funksion të lokalizimit të infeksionit, parandalimit të përhapjes në burg dhe në familjet e të prekurve.

KALLXO.com dje ka raportuar se dy gardianë të Qendrës së Paraburgimit të Mitrovicës kanë rezultuar pozitiv me coronavirus pasi kishin marrë pjesë me një dasmë më 14 mars.

Deri më sot, nga 13 marsi, në Kosovë janë konfirmuar 126 raste pozitive me COVID-19, 10 pacientë janë shëruar dhe një ka vdekur.

https://kallxo.com/lajm/dy-gardiane-te-burgut-ne-mitrovicen-veriore-infektohen-me-coronavirus/