Mbeturinat në rrugën ‘Fazli Grajçevci’ në Prishtinë. Foto: KALLXO.com.

ASK: Një qytetar i Kosovës ‘prodhon’ 0.75 kilogram bërllok në ditë

Rezultatet e dala nga anketa për mbeturinat komunale për vitin 2021, nga ASK, tregojnë se sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara nga kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët ekonomik privatë, të cilat merren me menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë për vitin 2021, ishte 485 mijë tonë.

Afër një kilogramë mbeturina në ditë është sasia që ‘prodhon’ një qytetarë i Kosovës

“Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara në Kosovë ishte 273 kg për banor në vit. Ndërsa, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ishte 0.75 kg.” – thotë ASK.

Tutje në anketë thuhet se në Prishtinë dhe rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale për ditë ishte 0.84 kg/banor në ditë. Ndërsa, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për ditë/për banor ishte 0.71 kg.

Sasia më e madhe e mbeturinave ishte në rajonin i Prishtinës, ndërsa rajoni i Ferizajt me sasinë më të vogël

“Nga të dhënat e mbeturinave komunale të grumbulluara sipas rajoneve për vitin 2021, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Prishtinës me 151 mijë ton në vit, ose 305 kg për banor në vit. Ndërsa, sasia më e vogël e mbeturinave të grumbulluara ishte në rajonin e Ferizajt,  me 37 mijë ton në vit, ose 202 kg për banor në vit.” – ka njoftuar ASK.

Gjithsej, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për vitin 2021 ka rritje për 6.4%, krahasuar me vitin 2020.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e rezultateve të “Anketës së Mbeturinave Komunale (AMK) për vitin  2021”.