Foto: Ilustrim

ASK-ja tregon se në cilat produkte pati rritje të çmimeve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përmes një Raporti të publikuar, ka treguar se në muajin tetor ka pasur rritje të çmimeve, kryesisht të produkteve bazë të konsumit.

Sipas ASK-së, në krahasim me muajin shtator, në tetor çmimi i bukës dhe drithërave është rritur me 3.9%; i mishit për 0.4%; i qumështit, djathit dhe vezëve është rritur për 1.7%; i vajrave dhe yndyrërave ushqimore për 2.9%.

Sipas ‘Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit’, të publikuar nga ASK-ja, rritje të çmimeve ka pasur edhe për sheqerin, mjaltin, çokollatën dhe ëmbëlsirat me 2.1%; kafja, çaji dhe kakao me 3.0%; lëndët djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet janë rritur me 5.8%.

Kurse rënie të çmimeve ka pasur tek pemët -8.9% dhe tek perimet me -2.2%.

Sipas Raportit të ASK-së, norma vjetore e inflacionit (rritjes së çmimeve) në muajin tetor 2021 në krahasim me muajin tetor të vitit 2020, është më e lartë për 5.7%.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet bukë dhe drithëra, mish, qumësht, djathë, vezë, vajra dhe yndyrëra ushqimore..”, thuhet ndër të tjera.

Raportin e plotë të ASK-së për çmimet e muajit tetor mund ta gjeni KËTU.