(Ilustrim) Një dyqan ushqimor në Prishtinë, Foto: REL

ASK: Inflacioni 7.5% në muajin shkurt në Kosovë

Produktet bazë si buka, vezët, vajo e sheqeri u blenë më shtrenjtë nga konsumatorët në muajin shkurt të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt 2022 me shkurtin e vitit 2021 është 7.5% më i lartë.

Sipas këtyre të dhënave yndyra ushqimore dhe buka kanë pasur ngritjen më të lartë të çmimit, përkatësisht 15.7% buka dhe drithërat dhe 32.1% yndyra ushqimore.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (15.7%); mish (8.6%); qumësht, djathë dhe vezë (11.1%); vajra dhe yndyra ushqimore (32.1%); perime (13.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (11.3%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6.5%); kafe, çaj dhe kakao (12.5%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3.9%); duhan (4.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4.1%); energji elektrike (12.3%)”, ka bërë të ditur ASK.

Po ashtu, ASK ka bërë të ditur se 28% u ngritën çmimet e karburanteve ndërsa 7.4% shërbimet hoteliere.

“Pajisje shtëpiake (5.3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopshte (5.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (3.6%); blerje e automjeteve (5.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (28.2%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%); shërbime për transport (4.0%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative (2.2%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (2.6%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (1.5%); shërbime hoteliere (7.4%); kujdes personal (3.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 7.8 për qind në IHÇK”, vazhdon njoftimi.

Me inflacion kuptohet rritja e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, ku blihen më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi të parave para zhvlerësimit.

Pra, nëse një kilogram patate kushton 30 centë në muajin X, në muajin pasardhës Y, ato kushtojnë 35 centë. Kjo do të thotë se me 30 centë, tashmë blihet më pak se një kilogram patate. Praktikisht, rritja e çmimeve quhet inflacion.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë çmimi i produkteve bazë është rritur ndjeshëm.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbrëmë ka njoftuar se ka mbyllur dy depo të supermarketeve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetërn 26 mijë të tjera.

Këto inspektime kanë ardhur pas rritjes enorme të çmimit të vajit në Kosovë, ku është vërejtur që në disa markete një shishe vaj është shitur deri në 3.49 euro.