Asistenti i Fakultetit të Mjekësisë i reagon Dekanes Manxhuka-Kërliu

Asistenti i Fakultetit të Mjekësisë, Fisnik Kurshumliu ka reaguar ndaj deklaratave të dekanes së këtij fakulteti, Suzana Manxhuka-Kërliu në një mbledhje të mbajtur të Senatit të Universitetit të Prishtinës, ku u apostrofua edhe emri i kandidates me notë mesatare 10-she, Shqipdona Lahu e që nuk u pranua si Asistente.

Reagimi i tij erdhi pasi që dekanja, Suzana Manxhuka-Kërliu në mbledhjen e senatit kishte thënë kandidatja në fjalë ka aplikuar në tri pozita dhe se shefat e katedrave janë interesuar për persona që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë në institutin paraklinik.

Kurshumliu si përgjigje ndaj kësaj deklarate ka listuar disa arysetime të tij.

”Në lidhje me këtë deklarim të Dekanes, do të ju listoj stafin akademik në katedrat paraklinike me specializimet e tyre përkatëse (klinike): Katedra e Anatomisë. Numri i Profesorëve 3 (1 Pa Specializm; 1 Specialist Internist; 1 Specialist Oftalmolog). Numri i Asistentëve: 3 (1 Specialist Radiolog; 2 Specialiste Pediatre) Katedra e Fiziologjisë. Numri i Profesorëve 3 (2 Specialiste Imunologe; 1 Specialiste Dermatologe). Numri i Asistentëve  5 (1 Onkolog, 1 Kardiokirurg, 1 Kardiolog, 1 Specializante Endokrinologji, 1 Specializant Kardiologji). Katedra e Patofiziologjisë. Numri i Profesorëve 3 (1 Specialist Imunolog; 1 Specialiste Oftalmologe; 1 Specialiste Interniste). Numri i Asistentëve 2 (1 Specialiste Ortopede; 1 Specialiste Pediatre) Katedra e Histologjisë. Numri i Profesorëve 2 (1 pa specializim; 1 Specialist Patolog). Numri i Asistentëve 5 (1 Specialiste Citologe; 1 Specialiste Patologe; 1 Specialiste Interniste; 1 Specialist Neurolog; 1 në specializim Oftalmologji)”, ka thënë ai.

Profesori thekson se nga çka u prezentua më lartë, rezulton se kandidatja në fjalë, edhe po të angazhohej në Katedër Paraklinike, sipas tij nuk do të kishte asnjë pengesë ta zhvillojë karrierën profesionale në cilindo specializim.

“Për më tepër, Fakulteti i Mjekësisë do të ishte dashur të angazhohet drejt hartimit të një memorandumi me Ministrinë e Shëndetësisë, që të diplomuarve me notë mesatare nga 9.00 e përpjetë, t’i ofrohet specializimi sipas dëshirës. Për mendimin tim, një gjë e tillë duhet të konsiderohet me interes nacional”, ka shtuar ai.

Kurse sa i përket deklaratës së dekanes se nota mesatare në Fakultetin e Mjekësisë, nuk është reale kur bëhet fjalë për fëmijët e doktorëve, ai ka thënë se nga ky deklarim rezulton se në Fakultetin e Mjekësisë aplikohen standarde të dyfishta të notimit, me bekimin e Dekanes.

“Nëse ajo e ka komoditetin të deklarojë diçka të tillë në emër të Fakultetit, të cilin është duke e menaxhuar për 4 vite, në mesin e Senatorëve të UP-së, para Rektorit dhe Prorektorëve mendoj se kjo pasqyron një fuqi absolute të saj të bëjë çka të dojë në UP”, ka thënë tutje Kurshumliu.

Kurse sa i përket deklaratës së Manxhuku-Kërliut se i respekton vendimet e komisioneve recencuese ai ka thënë se nuk qëndron një gjë e tillë.

“Sipas Rregullores për Emërime, Riemërime dhe Avancime, neni 11, pika 22 citoj “Pas hartimit dhe nënshkrimit të raportit nga të tre (3) anëtarët, kryetari i komisionit vlerësues është i obliguar që ta dorëzojë raportin në Këshillin e Fakultetit përkatës” fundi i citatit. Kurse, praktika e menaxhmentit Manxhuka-Kërliu është që Komisionet Recensuese duhet t’i dorëzojnë Recensionet e tyre pranë Komisionit për Kuadro dhe Shkencë, i cili në fakt është organ që nuk figuron në Statutin e Universitetit të Prishtinës.  Detyra e këtij Komisioni është që t’i rishikojë të gjitha recensionet dhe të “vlerësojë rregullsinë” e tyre”, thotë ai.

“Praktika tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh, pas vlerësimit nga Komisioni për Kuadro dhe Shkencë dhe informimit paraprak të Dekanes në lidhje me Recensionet, Këshilli Mësimor, i udhëhequr nga Dekanja, i ka ndryshuar vendimet e Komisioneve Recensuese. Kjo është edhe një nga arsyet pse një numër i Profesorëve të FM-së kanë refuzuar dhe refuzojnë të jenë pjesë e Komisioneve Recenzuese”, ka shtuar profesori i Fakultetit të Mjekësisë.

Ai ka përmendur edhe një rast të një profesori tjetër por edhe personal.

“Një rast i tillë ka qenë refuzimi i Profesorëve të Kirurgjisë që të jenë anëtarë të Komisioneve Recenzuese, me ç’rast janë përzgjedhur Recensentët Kroatë pa procedure formale të kontaktimit të Menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit. Unë personalisht kam qenë subjekt i presionit nga Dekanja gjatë përpilimit të recensionit për angazhim në lëndën Onkologji (detajet e këtij rasti mund t’i paraqes pranë strukturave përkatëse të Rektoratit).  Gjithashtu, personalisht kam qenë prezent kur Dekanja e ka detyruar Komisionin për Ankesa të ndërrojë raportin (paraprakisht të protokoluar) në përgjigje të ankesave të kandidatëve të konkursit për avancim në lëndën Kirurgji”, ka thënë tutje ai duke shtuar se deklaratat e saj në lidhje me këtë cështje nuk paraqesin gjendjen faktike.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu dhe është duke pritur përgjigje.

Shqipdona Lahu, ishte bërë lajm i ditës. duke treguar se aplikoi në tri konkurse për bashkëpunëtore të jashtme, ndërsa komisionet recensuese në të tri rastet propozuan kandidatë të tjerë që ajo thotë se nuk e meritojnë.

Ajo madje tha se ky ishte shkaku që e shtyri të vendosë për të vazhduar Doktoraturën në Gjermani në vend se të qëndrojë në Kosovë.

Lahu kishte kishte aplikuar në tri konkurse, Anatomi 1 dhe 2, Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji) dhe Fiziologjisë Patologjike.

Megjithatë, Komisionet Recensuese në këto fakultete kishin thënë se vajzës nuk i është bërë e padrejtë.