Asistenti i Endrit Shalës, i dyshuar për kërcënimin e Burim Ahmetajt

Vëzhguesi nga radhët e Nismës Socialdemokrate Behar Amerllahu, i dyshuar për kanosje ndaj koordinatorit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka qenë asistent i ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala.

Amerllahu është përjashtuar nga vëzhgimi i rinumërimit që po bëhet në QNR, pasi koordinatori i kësaj qendre ka thënë se i njëjti ka përdorë gjuhë kërcënuese dhe fyese ndaj tij.

Rastin në fjalë e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh të së dielës, 17 nëntor.

Sipas policisë, me datë 16 nëntor 2019, në QNR në Fushë Kosovës, rreth orës 23:40 është raportuar se është kanosur viktima nga i dyshuari vëzhgues i një subjekti politik.

Lidhur me këtë rast, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë për KALLXO.com se Amerllahu më herët ka punuar në ministrinë, të cilën ai e drejton.

“Ka punu në Ministri të Tregtisë te unë. A s’po keni me çka mu marr tjetër veç po merresh me kësi farë të Vetëvendosjes a? Po le ti atë punë. Ajo u kry. Mundësia që Vetëvendosja me grabitë mandate të huaja edhe mandatet e 42 mijë qytetarëve të Kosovës, ka dek. Qikjo është deklarata jem”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Kurse, Behar Amerllahu, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se ka qenë asistent i ministrit Shala.

“Po, kam qenë asistent i ministrit”, është përgjigjur Amerllahu.

Sa i përket incidentit në QNR, vëzhguesi i Nismës, e ka mohuar kanosjen ndaj koordinatorit, Burim Ahmetaj.

“Jo more çfarë të kanosni. S’kam pas nevojë me kanosë. Na veç kemi pas një mosmarrëveshje për një fletëvotim. Unë kam than që është i pavlefshëm. Ai ka thanë është i vlefshëm edhe qikaq. S’ka pas tjetër sen aty. E kam dhanë deklaratën tem në polici edhe s’kam çka me shtu ma shumë.”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Foto: Behar Amerllahu – Facebook

Në anën tjetër, koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj përmes një e-maili dërguar anëtarëve të KQZ, e publikuar në mediat vendore, e ka arsyetuar përjashtimin e Amerllahut nga kjo qendër.

“Sonte në orën 21 e 12, vëzhguesi Behar Amerllahu, ka shfaqur sjellje të pahijshme dhe ka përdorur fjalë fyese  ndaj stafit dhe personalisht ndaj meje. Përveç kësaj, ndaj meje ka përdorur edhe gjuhë kërcënuese. Krejt kjo për shkak të një kontestimi të një fletëvotimi, përkatësisht vlefshmërisë së tij, e për të cilën çështje që nga dje e kemi vendimin e PZAP-it, me të cilin i ka sqaruar këto situata dhe ne jemi të obliguar ta respektojmë. Për këto sjellje të tij, thyerjes së kodit të mirësjelljes, kërcënimit ndaj meje, në bazë të rregullativës, nuk i lejohet hyrja e  mëtutjeshme në QNR”, thuhet në e-mailin e tij.

Ahmetaj thotë se ka kërkuar nga personi kontaktues i subjektit NISMA që vëzhguesi të zëvendësohet me një tjetër vëzhgues të akredituar.

Lidhur me procedurat hetimore për rastin në fjalë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.