ASHNA dhe ACC tregojnë para komisionit për bujqësi ‘mosmarrëveshjen’ e tyre

Drejtori i Agjencisë së Aviacionit Ajror, Bujar Ejupi para komisionit për bujqësi ka thënë që Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, nuk ka hapur rrugët ajrore prandaj edhe është përmendur në raport.

“Raporti nuk është i imi, është i institucionit dhe është i sinkronizuar me departamentin. Marrëveshja e qershorit të vitit të kaluar i hapë rrugë koordinimit, rrugë ajrore nuk ka, këto pritet me u ba, jemi në komunikim me ASHNA që këto rrugë me u ba. Unë e mbikëqyri ASHNA-në dhe nëse një pune nuk kryhet unë raportoj që nuk është kryer. Duhet me u hap rrugët ajrore, nuk mund te presim pafundësisht, këtë e kam raportuar edhe në raport”, tha ai.

Ejupi para deputeteve të komisionit tregoi edhe për inspektimin të cilin ia kanë bërë ASHNA-së.

“Inspektorët e AAC kanë autoritet pa u kufizu në autoritet, dokumente dhe institucion, njëra prej inspektimeve që ka ndodh më 4 shkurt , ku inspektorët kanë shku me bo inspektim, ata kanë shkuar me i kshyr kapacitet minimale teknike të operatorit. Nuk ka të bëjë me vijueshmëri, por ka të bëjë nëse operon me licencë kulla e trafikut ajror, a kanë stres a kanë mbingarkesë. Inspektorët kanë shkuar dhe kanë pasur një ndalesë të hyrjes, dhe aty kanë bërë një gjetje. Unë i kam marr dy raporte të inspektoreve të mi, dhe pastaj e kam marrë një kundërshtim prej operatorit (AShNA). Kjo është procedurë standarde”, tha ai para deputeteve.

Bahri Nuredini, drejtor i agjencisë për shërbimin e navigimit ajror tha që nuk e kanë parë raportin e AAC, ndërsa në rastin e inspektimit, Nuredini vlerësoi se AAC ka tejkaluar kompetencat e saj duke inspektuar edhe stafin.

“Ne nuk kemi qasje në raportin e autoritetit Civil, brenda raportit janë shumë kërkesa të AAC që kanë të bëjnë me përmbushjen e kërkesave ndaj ASHNA. Departamenti i shërbimeve të navigimit ajror ka në baza ditore informacione se çfarë ndodhë në ASHNA”, tha ai.