Ashensori ra përderisa një familje ishte brenda - VIDEO

Fatlum Alushaj, banor i komunës së Prishtinës bashkë me gruan dhe vajzën kishin rënë nga ashensori i banesës ku ata jetojnë, mbrëmjen e 21 shtatorit.

Alushaj ka thënë për KALLXO.com se tronditja kishte qenë e rëndë në momentin e rënies së ashensorit.

Alushaj bashkë me gruan shtatzënë dhe vajzën kishin mbetur të bllokuar për rreth 15 minuta në ashensor ndërsa ai kishte rënë dy herë brenda kësaj periudhe.

Fatlum Alushaj rrëfen për KALLXO.com se pas hapjes së derës së ashensorit banorët kanë thirrë ambulancën të cilët njëherë e kanë marrë gruan e tij shtatzënë, e cila sipas Alushajt nuk ka pësuar lëndime.

“Në momentin që kena mbërri në katin e parë lifti ka fillu me dridhje dhe kersima dhe është lëshu në zero me një hov, domethënë sa e ka kalu katin zero tu shku në katin e parë u lëshu në zero . Në zero nuk u hapke as dera as kurgjo fatmirësisht një banor e kam dëgju q ëka qenë aty në hymje i kam tregu që jemi nguju brenda. Vajza vazhdimisht qante se ishte tronditje për herë të parë për të…Po dikush prej kojshive e ka thirr liftin lart nuk e ka ditë. Ai(ashensori) prap ka bo tentim me shku lartë dhe prej atij katit (0) lifti ka rënë në -1 me dy hova dhe me zhurmë ashtu.  Për neve ka qenë një tronditje e cila besoj dhe shpresoj të mos i ndodh dikujna tjetër”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Qytetari tregon se që nga muaji qershor kanë probleme të vazhdueshme me ashensorin e kompleksit banesor në të cilin jeton.

Ai tha se kanë bërë disa herë kërkesa tek pronarët e kompleksit për kontrollimin e tij.

“Problemi me ashensor daton prej muajve qershor-korrik kur kanë filluar disa zhurma të paartikuluara që kanë ndodhë në ashensor. Rastet e tjera kanë qenë kur ka ngel bashkëshortja ime shtatzënë se u ndal rryma … edhe pse shkruan që kur ndalet rryma kabina shkon një kat më poshtë që të hapet dera po nuk ka ndodh ai ka mbet në gjysmë kat”- tha ai.

“Të paktën anës sime  dhe familjes time kanë qenë tre ose katër herë që kemi raportu. Mirëmbajtjen e paguajmë çdo muaj  nga 18 euro e cila është shumë mesatare për me qenë mirëmbajtja në nivel. Prej që e paguajmë mirëmbajtjen unë nuk kam vërejtur dikënd që ka bo testim apo diçka te ashensori. Në ashensor nuk shkruaj asgjë që me këtë datë është bërë servisimi…Ne aty domethënë unë me familjen time me u shu për shkak të mos instalimit të duhur apo për shkak të papërgjegjësisë totale” – vazhdon rrëfimin Fatlum Alushaj.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti është duke u hetuar.

“Rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,  është hap me datën 21 shtator 2022, në stacionin policor jugu në Prishtinë, dhe po hetohet në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.COM

Në një përgjigje për KALLXO.com kompleksi banesor, ‘ARSEKO’ ka thënë se janë të njoftuar me rastin dhe se kanë kontaktuar me kompaninë mirëmbajtëse.

“Ashensori në ato momente ka pas një defekt të vogël ku fal sigurisë së ashensorëve modern kanë reaguar frenat automatik ku ashensori ka zbrit për rreth 1 – 1.5 m lartësi më poshtë nga kati 0 ka zbrit në gjysmë të katit -1 ku kompleksi ynë është -2 kate pra me reagimin e frenave automatik të ashensorëve. Ashensori në fjalë ka ndaluar dhe nuk është shkaktuar as edhe një dëme, përveç ndonjë shqetësimi eventual të personave brenda ashensorit”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas kompanisë, ata gjithmonë u janë përgjigjur ankesave nga banorët.

“Sa i përket defekteve ato ndodhin sipas kompanisë mirëmbajtëse të kontraktuar nga ne përherë në komplekse dhe kjo ndodh shkaku i përgjegjësisë së banorëve si vendosja e peshave më të mëdha se sa është e lejuar si bartja e mobileve me ashensor. Ne gjithmonë jemi në kontakt me banorët e kompleksit dhe për çdo shqetësim të tyre kemi reaguar në momentin e parë”- kanë thënë nga kompleksi banesor, ‘ARSEKO’ për KALLXO.com