Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ASHAK: Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar për zhvillimet në tri komunat veriore duke konsideruar se situata e krijuar atje është rezultat i politikave pro-ruse që ndjek Beogradi zyrtar dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

ASHAK përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj për sulmet, siç thuhet aty, e paprovokuara të bandave kriminele mbi Policinë e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

“Pamjet e dhunës mbi trupat e KFOR-it dhe përgjithësisht të situatës së krijuar në këtë pjesë të Kosovës, janë rezultat i politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq. Ashtu sikundër kemi paralajmëruar edhe më herët, Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” – thuhet në komunikatë.

ASHAK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përballojnë situatat e rrezikshme në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët perëndimorë.

Po ashtu ASHAK, përmes kësaj komunikate ka përgënjeshtrua Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) lidhur më zhvillimet në veri.

“Shprehim keqardhjen tonë të thellë që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), hartuese e ‘Memorandumit’ dhe ideatore e ‘botës serbe’, paraqitet sërish në publik me deklaratat e saj të zakonshme nacionaliste, duke e nxitur konfliktin dhe duke i quajtur zhvillimet në veriun e Kosovës dhe sulmet e bandave kriminale serbe mbi ushtarët e KFOR-it si “dhunë mbi popullin serb. Akademia Serbe do të duhej të ndalojë të ‘prodhojë ide’ dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike” – ka thanë ASHAK.

ASHAK, gjithashtu shpreh mirënjohje mirënjohjen për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, të cilët, siç thuhet në komunikatë  me përkushtim janë duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial e Kosovës, si dhe vendimin për sjelljen e 700 trupave të NATO-s pas ngjarjeve në veri.