Asgjësohen rreth 100 bimë kanabisi në malet e Koshares - VIDEO

Policia e Kosovës ka identifikuar një lokacion të mbjellur me bimë narkotike në një zonë të thellë malore në komunën e Gjakovës, përkatësisht në malet e Koshares më 04.09.2024.

Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, ku thuhet se njësitë e specializuara dhe Njësia e Antidrogës, gjatë një operacioni policor, në vendin e ngjarjes, kanë gjetur një parcelë në të cilën sipas tyre kanë qenë të mbjella rreth 100 bimë të dyshuara narkotike, të llojit kanabis sativa, me gjatësi 1 deri në 2,5 metër.

“Në vendngjarje nga njësitë përkatëse policore janë marrë prova materiale si: mostra të bimëve narkotike dhe prova të tjera, ku pas mbledhjes së provave është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes”- thuhet në njoftimin e Policisë. 

Tutje, nga Policia thonë se meqense se zona ku janë gjetur bimët e dyshuara narkotike, është afër kufirit me Shqipërinë, është komunikuar edhe Policia Kufitare e Republikës së Shqipërsië dhe se në koordinim me ta është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri, nga ajri dhe nga toka. 

Për këtë rast është njoftuar Prokuroria  Themelore në Gjakovë dhe është hapur rasti, i cili do t’i nënshtrohet procedurave përkatëse hetimore, njofton Policia e Kosovës.