Asfaltimi i rrugës në parkun e Mitrovicës

Asfalti midis parkut të qytetit, Hamza: Në ditët e para të punës do të trajtohet kjo çështje

Në fund të muajit tetor, në parkun qendror të qytetit të Mitrovicës, një kompani private shtroi asfalt.

Këtë e kundërshtuan fort qytetarët mitrovicas por edhe shoqëria civile.

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka thënë se njëra nga punët e para do të jetë trajtimi i këtij rasti.

Ai tha se asfalti u shtrua në kohën e tranzicionit të pushtetit.

“Do ta shikoj aspektin ligjor, nuk marr vendim në mënyrë arbitrare, do ta shikoj mirë. E kam pa dhe e di saktë për ku po flasim, do të shikoj se, a ka leje, nëse ka leje, do të shikoj se mbi bazën e çfarë legjislacioni është dhënë leja dhe nëse ka probleme ligjore, do të largohet menjëherë”, tha Hamza në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai tha se me atë pamje nuk është pajtuar vetë por ka pasur kërkesa edhe nga qytetarët që ta trajtoj rastin.

“Aty me detaje do të shikohet legjislacioni, brenda ditëve të para të punës do të jetë kërkesë e imja që ajo të trajtohet brenda legjislacionit. Nëse është në përputhje me legjislacionin, me rregulloret me planin, unë pavarësisht se mund të mos pajtohem jam i detyruar me zbatu. Ma kanë bë këtë kërkesë edhe qytetarët por unë edhe personalisht nuk jam pajtuar me atë”, deklaroi kryetari i zgjedhur i Mitrovicës.

“E ka bërë gjatë zgjedhjeve, në kohën kur është tranzicioni i pushtetit”, tha ai.

KALLXO.com raportoi në fund të muajit të kaluar se në parkun qendror të qytetit të Mitrovicës një kompani private asfaltoi një rrugë.

Asfaltimi “i nxituar” në parkun e Mitrovicës, i papranueshëm për banorët

www.kallxo.com