
Asfalti mbi Urën e Badovcit shtrohet 355 ditë pas nënshkrimit të Kontratës
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se, më 30.12.2024, është vendosur shtresa e asfaltit në urën në Badovc, e cila gjendet në rrugën që lidh Gjilanin me Prishtinën.
Përmes një postimi në Facebook, Durmishi ka thënë se ka filluar edhe vendosja e sinjalizimit vertikal dhe sapo të përfundojë edhe sinjalizimi horizontal – sipas tij – Ura do të hapet për qarkullimin e automjeteve.
Vendosja e shtresës së asfaltit vjen 355 ditë, pasi që është nënshkruar Kontrata për ndërtimin e urës në fjalë dhe 20 muaj pasi që është mbyllur për qarkullimin e veturave.
Fillimisht, Ura për qarkullim ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar bypass-in, që shfrytëzohet si rrugë alternative, deri në përfundimin e Urës.
Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e Urës së re.
Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” është nënshkruar më 10.01.2024.
Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë e 522 euro. Në Kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhej se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditësh.
Kështu kishte deklaruar edhe zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Pas konstatimit të ekspertëve që Ura në Badovc duhet të mbyllet për qarkullim, ne menjëherë intervenuam. E mbyllëm Urën duke e hapur Bypass-in, e asfaltuam rrugën si zgjidhje të përkohshme. Afati për përfundimin e punimeve është 125 ditë.” – kishte thënë Durmishi më 23.10.2023.
Por, më pas punimet kishin ngecur për disa muaj, sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për shkak të rritjes së nivelit të ujit te liqeni dhe për shkak të ndryshimeve të bëra në projektin realizues.
Në gusht të vitit 2024, Adnan Lushtaku nga kompania “Dreni Inginiering” kishte thënë se afati në Kontratë është 125 ditë pune “kur të na mundësohet punimi”.