Asamblistja nga subjekti i Driton Ajazit i bashkohet PDK-së

Asamblistja e kuvendit komunal të Drenasit nga radhët e “Demokratët për Drenasin”, Mirlinda Dvorani i është bashkuar grupit të asamblistët të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci në rrjetin social “Facebook”.

“Grupi i asamblistëve të PDK-së në Drenas, nga sot, është më i madh edhe për një anëtare. Asamblistja Mirlinda Dvorani, deri tash pjesëtare e DD, kalon në PDK dhe do të jetë votë dhe vlerë e shtuar në Asamblenë komunale të komunës së Drenasit. Vendimi juaj e fuqizon edhe më tej moton e fitores, Bashkë për Drenasin. Interesi qytetar do të përfaqësohet më së miri me unitetin tonë, bashkëpunimin dhe harmonizimin e mëtejshëm për interesin qytetar, interesin e komunës tonë”, ka shkruar Lladrovci.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryetari i DD-së, Driton Ajazi. Ai se i bëri thirrje asamblistes që ta dorëzoj mandatin e fituar në kuadër të DD-së.

“Demokratët për Drenasin, reagojnë ndaj veprimeve të kryetarit Ramiz Lladrovci, i cili nuk po e ndal avazin e vjetër me blerje të asamblistëve përmes formave tashmë të njohura me pazare. E çmimin e këtij pazari do ta mësojmë me kohë! Sepse punët e kqija që janë në dëm të qytetarëve ai mund ti kalojë vetëm me njerëz të shitur dhe të shantazhuar”, ka shkruar Ajazi në rrjetin social “Facebook”.

“Demokratët për Drenasin” është subjekt i udhëhequr nga Driton Ajazi, ish-zyrtar i PDK-së.

Pikërisht me Driton Ajazin, Lladrovci ishte përballur edhe me një rund të dytë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

KALLXO.com më 12 nëntor 2021, ka publikuar një artikull të gjatë për përçarjet mes Lladrovcit dhe Ajazit.

‘Përçarja Demokratike’ e PDK-së në Drenas