Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblistja e VV-së në Vushtrri reagon pas refuzimit të vendimit për rrëzimin e ish objektit të gjykatës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka refuzuar vendimin e Komunës së Vushtrrisë për rrëzimin e ish objektit të Gjykatës në këtë qytet.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com MAPL kërkon nga Komuna e Vushtrrisë rishqyrtimin e një vendimi të tillë.

Pas këtij vendimi ka reaguar asambleistja nga radhët e Lëvizjes  Vetëvendosje, Gresa Muli.

Muli përmes një postimi në facebook ka ftuar asamblistët e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë që ky vendim të shërbejë si “mundësi reflektimi për mosvotimin e këtij vendimi”.

“Ky vendim është kthyer prapa duke u bazuar në kundërshtimet e tij me dispozitat ligjore e kësisoj Kuvendit Komunal të Vushtrrisë po i ipet mundësia për reflektim e mosvotim të këtij vendimi për të cilin nuk është parë e arsyeshme as diskutimi me qytetar”, ka thënë ajo.

Tutje, Muli ka ftuar asamblistët e Kuvendit Komunal “që të mos ngrisin duart për rezultate të kalkulimeve të dikujt tjetër”.

LVV nuk e kishte votuar në Kuvendin Komunal vendimin për rrëzimin e ish objektit të gjykatës në Vushtrri.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin qenë pro vendimit.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte votuar që ta rrëzojë objektin e Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.