Sherife Balaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblistja e PDK-së: Mungesa e çerdheve publike në Prizren është dështim edhe i partisë time

Asamblistja e Partisë Demokratike të Kosovës në Asamblenë Komunale të Prizrenit, Sherife Balaj, e ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë” ka thënë se Komuna ka dështuar të përfundojë ndërtesat e banimit social si dhe shtëpinë e të moshuarve, projekte këto të filluara në mandatin e partisë së saj.

Më tej, Balaj ka thënë se dështim në komunën e Prizrenit është mungesa e çerdheve publike, ndërsa ka vlerësuar se edhe partia prej nga vjen ka dështuar në këtë aspekt.

Po ashtu, kostoja e çmimit të çerdhes është shumë e lartë duke e krahasuar me të ardhurat e familjeve në Prizren.

“Ne po flasim për tri vite, përderisa milionat e qeverisjes në Prizren shkojnë në deficit, ne ende i kemi banesat sociale të papërfunduara, njëra është mbet ashtu siç e kemi lënë ne në lagjen Petrova. Shtëpia e të moshuarve është një dështim sepse ka filluar qe katër- pesë vjet. Shkolla Pjetër Budi ende nuk ka mësimdhënëse, klasa e parë e kanë përfunduar klasën dhe ende nuk e kanë mësuar alfabetin sepse konkursi kthehet në fillim sapo që publikohen emrat e përzgjedhur, çerdhja ka qenë e planifikuar në buxhetin  para se me ardh në mandat dhe mund të themi se është një dështim qoftë i PDK e i kujtdo sepse ende nuk ka çerdhe në Prizren, por edhe kjo çerdhe me çmimin prej 80 euro nuk e di qysh kanë me mund me ia dalë familjet”, ka thënë Balaj.

Kryetari Mytaher Haskuka ka thënë se Komuna ka kërkuar nga niveli qendror 30 kode buxhetore për stafin, por të cilat nuk i janë miratuar dhe nuk kanë hyrë në buxhet.

“Ne tash duhet ta bëjmë me bashkëfinancim. Në të njëjtën kohë disa kategori kanë lehtësira në çmimin e çerdhes, më mirë të kemi një çmim që mund ta zbresim se sa një që do të na krijojë mundësi të rritjes”, ka thënë Haskuka.

Të ftuar në studio janë janë: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.