Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblistja e LVV-së në Lipjan dorëzon kallëzim penal e padi civile ndaj kryetarit, Ahmeti i quan 'filma pa shije'

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Shahadije Bikliqi-Dragaçina ka dorëzuar kallëzim penal e padi civile kundër kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, pasi pretendon se Ahmeti i ka thënë se derisa ai të udhëheqë me Komunën e Lipjanit, ajo asnjëherë nuk do të punësohet si zyrtare publike.

E ky i fundit për këtë kallëzimin penal dhe e padinë ka thënë se “janë filma pa shije e letra njëpërdorimshme pa asnjë vlerë”.

“Është e drejtë e saj, janë filma pa shije, letra njëpërdorimëshe, pa asnjë vlerë” – tha Ahmeti në një përgjigje për KALLXO.com.

Në faqen zyrtare të LVV-së në Lipjan, u tha se ky veprim erdhi nga ana e asamblstes, pasi pretendohet që në seancën e 28 shtatorit në Kuvendin Komunal në Lipjan, Ahmeti ka deklaruar se ai e ka penguar punësimin e Bikliqit për pozicionin e shërbimit civil.

Sipas LVV-së në Lipjan, Ahmeti ka pranuar publikisht se është ai që vendos e ka vendosur edhe në këtë rast se kush duhet të punësohet në komunë dhe kush jo.

“Ahmeti, deklaroi me zë e figurë se ai e ka penguar punësimin e saj për pozicionin e shërbimit civil, duke e pranuar publikisht se është “Ai” që vendos e ka vendosur edhe në këtë rast se kush duhet të punësohet në Komunë e kush jo, thuajse ky institucion është pronë e tij private” – thuhet në njoftimin e LVV-së në Lipjan.

Tutje u tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale i përcakton kompetencat e Kryetarit të Komunës për të emëruar drejtorët e drejtorive, por jo edhe autorizimet për të vendosur se kush punësohet në pozita administrative të shërbimit civil.

“Sipas LVV-së në këtë qytet, bazuar në të gjitha deklarimet, të cilat Vetëvendosje pretendon që i ka bërë vet Ahmeti, kanë përgatitur edhe kallëzim penal.

“I mbetet organeve kompetente të fillojnë hetimet dhe të nxjerrin para përgjegjësisë penale Kryetarin e Komunës, Imri Ahmetin” – thuhet në njoftim.

Bikliqi, përpos kallëzimit penal, në njoftim thuhet se ka dorëzuar edhe padi civile, pasi e njëjta pretendon se ka pasur shpifje dhe fyerje nga ana e Ahmetit.

Sipas LVV-së në Lipjan, këto shpifje janë se kinse anëtarja e Kuvendit po hakmerret për shkak se Ahmeti nuk e ka përfshirë atë në Listën e kandidatëve të LDK-së dhe nuk e ka bërë zëdhënëse.

LVV në Lipjan pretendon se nga ana e Ahmetit ka pasur fyerje dhe ofendime, sipas tyre, nga fjalët më të rënda dhe bullizuese .

Këto LVV në këtë qytet pretendon se ndodhën gjatë po të njëjtës seancë dhe se kanë dëmtuar integritetin e asamblistes dhe kanë cënuar dinjitetin personal të saj.

“Ato çfarë ka deklaruar Imri Ahmeti nuk janë të vërteta dhe përderisa shpifjet e fyerjet janë gjuha dhe mënyra e zakonshme e veprimit të Ahmetit, ai tash duhet që t’i dokumentojë e paraqes faktet para gjykatës. Në të kundërtën do të marr përgjigjen e sistemit të drejtësisë” – thuhet në njoftim.

Një reagim ndaj Ahmetit, asamblistja e kishte bërë edhe në tetor të këtij viti, ajo në profilin e saj në Facebook kishte thënë se kryetari Ahmeti i ka thënë se derisa ai të udhëheqë me Komunë e Lipjanit, asnjeherë nuk do të punësohet si zyrtare publike.

Bikliqi kishte publikuar edhe një audio-inçizim ku pretendohet se kryetari Imri Ahmeti i është drejtuar duke e përqeshur.

Ahmeti, kishte reaguar për këtë rast, ai kishte thënë në një  përgjigje për KALLXO.com se asamblistja po hakmerret naj Ahmetit për shkak se nuk e kishte pranuar në listën për asambliste, e as si zëdhënëse komunale.

Sipas Ahmetit, pozita e zëdhënëses është pozitë politike.