Dafina Alishani FOTO-Facebook/Dafina Alishani

Asamblistja e kërcënuar e VV-së në Prizren gjen mbështetjen e opozitës dhe heshtjen e Haskukës

Asamblisjta e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Dafina Alishani dje raportoi se kishte pranuar një telefonatë pas pyetjeve dhe çështjes së ngritur në emisionit Jeta në Komunë, ku mysafir ishte kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.

Pas debatit, asamblistja Dafina Alishani Dafina Alishani, ka shkruar se është kontaktuar përmes telefonit nga burri i “ndërmarrëses” e cila ka fituar një lokal-pronë komunale në shfrytëzim, në zonën ‘Shatërvan’ të Prizrenit, dhe i është thënë që të mos e ngritë këtë temë më për diskutim: “Mos fol më për këtë temë”.

Asamblistja Alishani tutje ka shkruar se është e drejtë e saj si asambliste të kërkojë llogari se çfarë po ndodh me pronën komunale.

“Derisa është interesi i qytetit dhe barazia e grave në shoqëri, mblidhuni të gjithë burrat e thirrmëni tanë ditën në telefon se nuk mundeni me më ndal në mendimin dhe aktivizmin tim”, ka shkruar ajo.

E njëjta edhe më herët në asamblenë Komunale kishte ngritur pyetje për Drejtorinë e Administratës lidhur me monitorimin e lokaleve që janë pronë e Kuvendit Komunal.

Përfaqësues të opozitës, asamblistë dhe shoqëria civile kanë reaguar lidhur me kërcënimet që ka pranuar përmes telefonit asamblistja Dafina Alishani.

Zëvendës kryeministrja e Kosovës nga NISMA, Albulena Balaj – Halimaj, dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Blerta Deliu-Kodra, janë ndër figurat që kanë dalë në mbështetje të asamblistes Dafina Alishani.

Edhe shumë asamblistë dhe kolegë të Dafina Alishanit i kanë dalë në mbështetje duke e dënuar këtë akt të kërcënimit ndaj saj, duke vlerësuar se kërcënimi ndaj grave bëhet për të eliminuat ato nga vendimmarrja.

Pos anëtarëve të Kuvendit Komunal, reagim ka pasur edhe nga kryetari i opozitës në Prizren, Shaqir Totaj, i cili ka shkruar se “kërcënimi që u bëhet grave në politikë është veprim që gjithsesi duhet gjykuar nga të gjithë akterët e jetës publike”.

Edhe dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë dënuar gjuhën kërcënuese ndaj asamblistë Dafina Alishani, e që sipas tyre këto kërcënime vijnë si rrjedhojë e punës dhe angazhimit të saj si përfaqësuese e qytetarëve.

Mirëpo ka munguar reagimi nga ana e kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka i cili nuk ka reaguar dhe nuk ka komentuar kërcënimet që ka pranuar asamblistes Dafina Alishani,  e cila në emisionin Jeta në Komuna ka kërkuar llogaridhënie nga kryetari Haskuka për shfrytëzimin e lokaleve që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren.

Asamblistja e Vetëvendosjes në Komunën e Prizrenit Dafina Alishani, gjatë debatit Jeta në Komunë kishte ngritur për diskutim çështjen e pronave komunale, duke kërkuar llogari nga kryetari Haskuka se kush po i mbikqyrë shfrytëzimin e lokaleve që janë pronë e Komunës, për të shikuar se a po implementohen planet e biznesit me të cilat kritere janë marrë në shfrytëzim këto lokale.

Haskuka duke folur për rastin ka thënë se lidhur me këtë çështje është edhe një aktakuzë, dhe sipas tij aktakuza është lidhur me kriteret për gra dhe numrin e punëtorëve në këto lokale, dhe sipas Haskukës për çështje administrative të vlerësimit 5 zyrtarë kanë përfunduar me aktakuzë.

Mirëpo KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë çështje dhe ngritjen e aktakuzës ku janë të përfshirë 3 ish drejtorë të Haskukës.

Aktakuza e Prokurorisë nuk e konteston çështjen e  poentimit të biznesit nga ana e komisionit vlerësues, sa i përket kriterit gjinor.

Për lokalin në fjalë që ndodhet në zonën e Shatërvanit, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj 3 ish drejtorëve, një asamblisti dhe një anëtari të shoqërisë civile, të gjithë si pjesë e komisionit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.

Në këtë rast po akuzohen Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi dhe Refik Shaqiri që të gjithë tashmë ish-drejtorë  bashkë me asamblisten Ganimete Babuna nga NISMA, dhe Arest Shporta.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Aktakuza ndaj tre ish drejtorëve është e plotfuqishme, dhe tashmë pritet të filloj gjykimi për këtë rast.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F. B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doqi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doqi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Në aktakuzë sqarohet se pesë të akuzuarit si pjesë e Komisionit nuk e kanë përfillur vendimin e shkallës së dytë, që i ka dhënë të drejtë ankesës së Albert Doqit, dhe nuk e kanë rivlerësuar ofertën, por vetëm kanë qëndruar pranë njoftimit të parë.